Grupi i ekspertëve në krye me Bislimin, takohen sot me palën serbe në Bruksel

  • G.G /
  • 07 July 2021 - 09:39
Grupi i ekspertëve në krye me Bislimin, takohen sot me palën serbe në Bruksel

Grupi i ekspertëve, i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, sot do të takohen me palën serbe në Bruksel.

Takimi trepalësh, i ndërmjetësuar nga emisari special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun, Miroslav Lajçak po konsiderohet se është vetëm përgatitje për temat që do të diskutohen në takimet e ardhshme të nivelit të lartë politik.

Përveç që e kanë konfirmuar takimin, nga Bashkimi Evropian nuk kanë bërë të ditur agjendën e diskutimit të sotëm.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një përgjigje për KP, e konfirmoi takimin e që do të mbahet sot, deri sa tha se takimi i radhës i nivelit të lartë do të bëhet publik në një kohë të përshtatshme.

Takimi i sotëm është i pari i këtij lloji nën qeverinë Kurti, derisa në të kaluarën ka pasur më shpesh takime në nivelin e ekspertëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Një ditë para takimit në të përbashkët, Emisari i Bashkimit Evropian (BE), Miroslav Lajçak është takuar me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.

Derisa tregoi për takimin, Lajçak nëpërmjet një postimi në Twitter tha se dialogu është politik dhe nuk ka asgjë teknike.

“E mirëprita Besnik Bislimin, zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës për diskutime sot para takimit të dialogut në nivelin e kryenegociatorëve nesër. Gjithçka në bisedimet mbi normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është  politike, asgjë s’është teknike”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

(Kosova Sot Online)