Tmerr për mediet: Portali i pavarur bllokohet, zyrat i bastisen, redaktorët i arrestohen

  • A.P /
  • 08 July 2021 - 15:52
Tmerr për mediet: Portali i pavarur bllokohet, zyrat i bastisen, redaktorët i arrestohen

Autoritetet në Bjellorusi e bllokuan uebfaqen e një prej mediumeve të pavarura më të popullarizuara në këtë shtet, Nasha Niva, ia bastisën zyrat dhe ia kontrolluan gazetarët të enjten.

Ministria e Informcionit njoftoi për masa kufizuese ndaj qasjes në këtë faqe paraditen e së enjtes, duke u thirrur në një udhëzim të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në lidhje me Nenin 39 të ligjit bjellorus për mediet masive, për të cilin organizata “Freedom House” thotë se nuk kërkon proces gjyqësor dhe nuk ofron mundësi për ankesë.

Kryeredaktori i këtij mediumi, Yahor Martsinovich, u nxor nga zyrat me pranga në duar, ndërsa redaktori Andrey Skurko thuhet se është marrë nga autoritetet për t’u marrë në pyetje pas bastisjes së shtëpive të tyre, shkruan Free Europe

E ringjallur më 1991 si pasuese moderne e një gazete letrare e intelektuale të themeluar më 1906, faqja e lajmeve, Nasha Niva, doli si burim udhëheqës i lajmeve të pavarura në Bjellorusinë me censurë të rëndë para rreth një dekade.

Zyrtarët e Ministrisë së Informacionit gjithashtu e kontrolluan departamentin e kontabilitetit dhe konfiskuan dokumente gjatë bastisjes.

Korrespondentja e këtij mediumi, Natallya Lubneuskaya, qëndroi 38 ditë në spital me plagë nga arma e zjarrit, të cilat i mori përderisa po mbulonte një protestë masive një ditë pasi presidenti Lukashenko e shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit vitin e kaluar.

(Kosova Sot Online)