U largua nga Turqia “për ta shijuar lirinë”, bodybuilderja turke ndalohet në aeroport të ShBA-së shkaku i veshjes

  • G.G /
  • 10 July 2021 - 10:02
U largua nga Turqia “për ta shijuar lirinë”, bodybuilderja turke ndalohet në aeroport të ShBA-së shkaku i veshjes

Një bodybuildere dhe modele fitnesi nga Turqia, e cila tashmë jeton në Shtetet e Bashkuara, është ndaluar që të hyjë në aeroplan në Teksas për shkak të veshjes.

Deniz Saypinar, 26 vjeçe, e cila u zhvendos në Shtetet e Bashkuara për t’i ikur stilit konservator të jetesës në atdhe, pretendoi se asaj i është ndaluar hipja në aeroplan në fluturimin për në Miami, sepse autoritetet ia cilësuan veshjen si jo të duhur.

Saypinar është modele e famshme, ndërmarrëse dhe personalitet në rrjete sociale, e cila ishte gruaja e parë në Turqi që mori status nga Federata Ndërkombëtare e Bodybuildizmit.

Ajo së voni ishte vendosur në Los Angeles të Kalifornisë për ta zhvilluar karrierën e saj në bodybuildizëm dhe, siç kishte thënë turkja, “për ta përjetuar lirinë”, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.

Sidoqoftë, Saypinar u bllokua në një aeroport të Dallasit, pasi ekuipazhi i aeroplanit vlerësoi se veshja e saj është e papërshtatshme.

Përmes një postimi në Instagram, ajo e kritikoi stafin dhe pretendoi se e kanë quajtur “të zhveshur”. Në video, ajo e tregoi edhe veshjen që kishte në trup, e cila i nxori problem në aeroport. Turkja tregoi se stafi i tha se stili i saj i pengon familjet tjera në aeroport.

“Unë jam atlete dhe tani më duhet të pres këtu deri në mëngjes. Mua më pëlqejnë rrobat femërore që e shfaqin feminitetin tim, por kurrë nuk vishem në atë mënyrë për ta fyer ndokënd. Unë jam e pjekur dhe e civilizuar mjaftueshëm për të ditur si mund të vishem dhe si s’mund të vishem”, shkroi ajo.

“Ndihem e fyer. Ata nuk më lanë në aeroplan, sepse i vesha këta pantallona të shkurtër në Shtetet e Bashkuara”, shtoi modelja.

(Kosova Sot Online)