“Frikacaku, e mbyti gruan kur ajo ishte në gjumë”, babai i Caroline flet për vrasësin e të bijës

  • A.P /
  • 12 July 2021 - 21:02
“Frikacaku, e mbyti gruan kur ajo ishte në gjumë”, babai i Caroline flet për vrasësin e të bijës

Babai i Caroline, 20 vjeçares britanike që u vra nga bashkëshorti i saj në sy të foshnjës së vogël në Glyka Nera të Greqisë, ka folur së fundmi në mediat greke për jetën e re të mbesës së tij Lydia, por edhe për dyshimet e tyre se Babis Anagnostopulos mund të ketë qenë i përfshirë në aktivitete të paligjshme.

David Crouch, babai i Caroline ka folur shumë ëmbël për mbesën e tij Lydia dhe ka thënë ndër të tjera se synon ta rrisë që të duket “si nëna e saj”.

“Vajza është mirë dhe e lumtur, është me gjyshen e saj. Të gjithë e duan. Është me Susan, ajo e merr dhe e nxjerr për shëtitje të shkurtra. Gjithçka që dua të bëj është të kujdesem për mbesën time dhe ta rris atë që të duket si nëna e saj,” ka thënë ai.

Gjithashtu David kërkon drejtësi për vrasjen e vajzës së tij, ndërsa i referohet gjithashtu dyshimeve se Babis Anagnostopulos është i përfshirë në veprimtari të paligjshme. Babai i Caroline, është shprehur se ajo nuk do të mbështeste asgjë që është e paligjshme dhe ndaj piloti e ka vrarë duke fjetur.

“Vajza ime ishte shumë e zgjuar dhe shumë e sinqertë. Ajo nuk do të mbështeste asgjë të paligjshme. Nëse ajo do të mësonte diçka do të kishte thënë. Dhe mendoj se mbase kjo ishte ajo që synonte të bënte. Fatkeqësisht, u vra ndërsa ishte duke fjetur,” ka rrëfyer ai.

Ai vazhdon më tej duke thënë se piloti ishte shumë frikacak, sa që e vrau atë duke fjetur.

Gjithashtu David ka thënë se veprimet e Babisit tregojnë që ai ishte shumë i vetëdijshëm dhe e dinte se çfarë po bënte.

“Ajo që e bën më keq, për mendimin tim, është se ai ishte kaq frikacak. E vrau ndërsa ajo ishte duke fjetur. Ai vrau një person dhe më herët kishte hequr kartat e kujtesës nga kamerat e sigurisë, kështu që e dinte se çfarë do të bënte. Priti derisa ajo ra në gjumë dhe pastaj e vrau,” përfundoi ai.

(Kosova Sot Online)