Gjykata Kushtetuese e Turqisë ia kthen mandatin deputetit opozitar që ishte burgosur

  • A.P /
  • 16 July 2021 - 16:08
Gjykata Kushtetuese e Turqisë ia kthen mandatin deputetit opozitar që ishte burgosur

Një politikani pro-kurd në Turqi i është kthyer mandati i deputetit katër muaj pasi i ishte hequr, pasi Gjykata Kushtetuese e Turqisë vlerësoi se atij i janë shkelur të drejtat përmes burgimit nën akuzën për terrorizëm.

Deputetit Omer Faruk Gergerlioglu, aktivist për të drejtat e njeriut dhe anëtar i Partisë Demokratike Popullore, i ishte hequr statusi parlamentar në mars, pasi një gjykatë e kishte bërë të plotfuqishëm dënimin me 2 vjet e gjysmë burgim për të.

Ai ishte shpallur fajtor për përhapje të propagandës terroriste duke u mbështetur në një link që e kishte shpërndarë në Twitter për një lajm në të cilin përfshiheshin komente nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, grup i ndaluar me ligj në Turqi.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se Gergerlioglut i janë shkelur të drejtat përmes burgosjes dhe pas vendimit ai u lirua nga burgu, ku ishte mbajtur nga muaji prill, shkruan Reuters

Një pjesë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese u lexua të premten në Kuvendin e Turqisë, duke nxitur duartrokitje dhe festë në mesin e deputetëve të partisë opozitare, pjesë e së cilës është deputeti i liruar nga akuzat.

“Askush nuk mund ta marrë me padrejtësi të drejtën që populli e ka dhënë. Është vullneti i popullit ai që ka triumfuar”, shkroi Gergerlioglu në rrjete sociale.

Ndryshe, mijëra anëtarë të Partisë Demokratike Popullore janë përballur me sistemin e drejtësisë në Turqi për shkak të dyshimeve për lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit. Kritikët thonë se gjykatat në Turqi janë të ndikuara politikisht. Presidenti Rexhep Erdogan dhe partia e tij në pushtet, AKP, e mohojnë këtë.


(Kosova Sot Online)