Sot më shumë raste me Covid-19 në Kosovë, 9 prej tyre janë nga e njëjta familje

  • A.P /
  • 22 korrik 2021 - 18:49
Sot më shumë raste me Covid-19 në Kosovë, 9 prej tyre janë nga e njëjta familje

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë regjistruar numër më i madh i rasteve me Covid-19 në krahasim me ditët e kaluara. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njoftoi se sot kanë rezultuar pozitivë 28 persona.

Nga 28 rastet e konfirmuara, 9 prej tyre i përkasin një familjeje në Viti.

Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, Vjollca Kadolli, ka dhënë lajmin duke bërë thirrje për personat që kanë pasur kontakt me ta të bëjnë testet.

“Rastet janë nga Begunca dhe për hir të korrektësisë, mund të konfirmoj që janë familjarë në mes vete. Nga biseda që kam pasur me të infektuarit, simptoma kanë të gjithë që disa ditë, prandaj kërkoj që të gjithë ata qytetarë qe kane pasur kontakt me personat pozitivë, të izolohen, ndërsa ata që kanë simptoma të vijnë për testim në QKMF-Viti, në hapësirën e ndarë për Covid, çdo ditë pune prej orës 09.00-11.00”, ka shkruar Kadolli.

Kodolli ka njoftuar se nga fillimi i pandemisë Komuna e Vitisë ka regjistruar 1,713 raste me coronavirus.

Ndërsa, po sipas saj deri më tani në këtë komunë janë dhënë 6,044 vaksina.

(Kosova Sot Online)