Gruaja që mbijetoi mrekullisht: Më doli gjumi dhe krejt çfarë dëgjova ishte copëtimi i trupit në tokë

  • G.G /
  • 25 July 2021 - 22:09
Gruaja që mbijetoi mrekullisht: Më doli gjumi dhe krejt çfarë dëgjova ishte copëtimi i trupit në tokë

Pasagjerët e autobusit që mbijetuan me lëndime të lehta u vendosën në një objekt privat që ofron shërbime hotelerike në qytetin Slavonski Brod, por pak nga ata ishin në gjendje t’i ndanin me gazetarët momentet e përvojës së tmerrshme që e kaluan mëngjesin e sotëm. Njëra prej tyre është një zonjë në të 50-at e saj, e cila tha se deshi ta vizitojë Kosovën pas një kohe të gjatë, raporton Jutarnji list.

Ajo tha se i doli gjumi nga bërtimat e pasagjerëve tjerë, ndërsa shtoi se më pas dëgjoi vetëm copëtimin e trupave në autobusin që u përmbys.

“Çdo gjë ishte e mrekullueshme, shoferët ishin të shkëlqyeshëm, kishte muzikë, këngë… Shoferët u ndërruan në Zagreb dhe ai që e kishte ngasur autobusin deri atëherë shkoi të flinte. Vazhduam rrugën dhe unë rashë për të fjetur, ashtu si shumica prej nesh në autobus. Por papritmas u zgjova dhe e kuptova se diçka e shëmtuar po ndodhte. Unë isha ulur në pjesën e prapme të autobusit, dëgjova udhëtarët e tjerë të bërtisnin dhe në vetëm disa sekonda autobusi u përmbys. E vetmja gjë që mund të dëgjohej ishte copëtimi i trupit në tokë dhe gjërat që ishin mbi ne filluan të na binin përmbi. Diçka më goditi në kokë dhe ende ndiej dhimbje, por nuk është asgjë kur mendoj për kaq shumë jetëra të humbura”, tha një grua që jeton dhe punon në Gjermani për 24 vjet.

Ajo hipi në një autobus në Ulm të Gjermanisë dhe tha se udhëtonte shpesh me këtë kompani turistike. 

“Nga rruga, disi gjithçka ishte shumë e mirë, sa që në një moment kisha frikë se mund të ndodhte diçka, por unë menjëherë i përzura mendimet e këqija nga unë. Nuk e di se çfarë ka ndodhur dhe nuk dua ta fajësoj askënd. Unë e di që shoferi nuk e bëri me qëllim”, tha gruaja, bluza e së cilës mbante gjurmë gjaku që nuk ishte i saj.

Disa nga udhëtarët e tjerë të mbijetuar gjithashtu rrëfyen përvoja të tmerrshme të këtij aksidenti.

Një nga udhëtarët e autobusit që doli nga autostrada afër qytetit Slavonski Brod në Kroaci këtë mëngjes dhe u përmbys duke i lënë të vdekur 10 persona e lënudar mbi 40 të tjerë, e përshkroi momentin tronditës para kamerës së Radio Televizionit Kroat (HRT). Ramo Gashi tregoi se si i dukeshin momentet e para pas aksidentit të tmerrshëm.

“Diçka shpërtheu për një sekondë, pashë gjithë ata njerëz nëpër gjithë livadhin atje poshtë, në atë kanal pranë autostradës”, tha Gashi.

Ai përshkroi pamjen e tmerrshme që pa.

“Unë i pashë të lënduarit, të vdekurit, pashë gjithçka, njerëz pa krah, pashë gjithçka, gjithçka”, tha ai për HTV.

Policia kroate ka lëshuar ​​një deklaratë duke detajuar rrethanat e aksidentit tragjik me autobus në autostradën afër qytetit Slavonski Brod.

Policia kroate tha se në orën 6:19 të mëngjesit të sotëm pranoi raportin e aksidentit në autostradën A3 Bregana-Lipovac, në korsinë jugore, afër qytetit Slavonski Brod. Në deklaratën e Policisë është përshkruar se si autobusi me 67 pasagjerë dhe dy shoferë, doli nga autostrada.

Ndërkohë, 14 persona që i mbijetuan pa lëndime aksidentit të tmerrshëm të mëngjesit të sotëm në autostradën në hyrje të Slavonski Brod të Kroacisë, aktualisht janë strehuar dhe përkujdesur në objektin Pansion Antonio në këtë qytet që ofron shërbime hotelierike, raporton Index.hr.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të hënën ditë zie, për shkak të këtij aksidenti i cili ua mori jetën 10 personave, kryesisht mërmitarë që po vinin nga Gjermania për pushime në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me disa prej ministrave është nisur drejt Kroacisë, ndërsa ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli ka qenë paraprakisht në spitalin rajonal në Slavonski Brod, ku po marrin trajtim mbi 40 persona që u lënduan nga aksidenti në autostradën A3 Zagreb – Lipovac, i autobusit kosovar të “Deva Tours”, që ua mori jetën 10 personave.

Ai është parë i përlotur, teksa ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave, duke thënë se ata dhe të aksidentuarit që mbetën të lënduar “janë njerëzit tanë që punojnë në Gjermani”.

Shefi i Mbrojtjes Civile në Kroaci, Damir Trut dhe Ministri i Shëndetësisë Vili Berosh ishin po ashtu në vendin e ngjarjes tragjike ku vdiqën 10 persona si pasojë e aksidentimit të një autobusi kosovar i cili po vinte nga Frankfurti në Prishtinë.

Pasi e vizitoi spitalin në Slavonski Brod, ku 45 të lënduar kërkuan ndihmë, Vili Berosh iu drejtua publikut, duke treguar se 15 persona janë lënduar rëndë, në mesin e të cilëve një vajzë e mitur, raporton Index.hr.

Drejtori i spitalit rajonal, Dr. Josip Samarxhiq tha se 45 persona ishin pranuar në spital që nga mëngjes, të cilët kishin kërkuar ndihmë mjekësore pas këtij aksidenti të rëndë në autostradë afër Slavonski Brod, dhe se tetë prej tyre u lënduan rëndë.

Sipas mediumit kroat, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore para aksidentit. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër.

(Kosova Sot Online)