Arben Vitia jep informacione për të aksidentuarit në Kroaci: 26 persona kthehen sot në Kosovë, 1 në gjendje të rëndë

  • E.K /
  • 27 July 2021 - 12:57
Arben Vitia jep informacione për të aksidentuarit në Kroaci: 26 persona kthehen sot në Kosovë, 1 në gjendje të rëndë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka deklaruar se sot do të kthehen në shtëpi personat e aksidentuar në Kroaci të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Ai ka thënë se 26 persona do të kthehen sot në Kosovë, ndërsa 15 janë ende të shtrirë duke marrë trajtim shëndetësorë, 2 prej të cilëve në njësinë intenzive, ndërsa njëri ende në gjendje të rëndë.

Vitia ka falënderuar personelin shëndetësor dhe autoritetet kroate për angazhimin në rastin e të aksidentuarve.

Shkrimi i tij i plotë:

Këto ditë së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme z. Xhelal Sveçla kemi ndjekur nga afër situatën me bashkëatdhetarët tanë të lënduar nga aksidenti tragjik .

Pas diskutimeve të fundit me menaxhmentin e spitalit ne Sllavonski Brod dhe Ministrin e Shëndetësisë Vili Berosh, tani më janë liruar 26 bashkëatdhetarë të cilët ndihen mirë dhe janë vendosur në ambiente të përshtatshme. Sonte po përgatitet kthimi i tyre në Kosovë.

Për momentin në spitalin e Sllavonski Brodit janë ende të shtrirë 15 bashkëatdhetarë nga të cilët dy në njësinë intenzive dhe një prej tyre është ende në gjendje të rëndë.

Të tjerët janë stabil dhe jashtë rrezikut për jetë. Ndërsa një pacient që ishte dërguar në spital në Zagreb, është në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Gjatë ditës së sotme priten edhe lirime të tjera.

Falenderime pafund personelit shëndetësor ne spital dhe autoriteteve kroate për angazhimin dhe reagimin e shpejtë në ndihmën e ofruar për bashkëatdhetarët tanë.

Ngushëllime të gjithë familjarëve dhe qytetarëve të Republikës për humbjen e jetës së dhjetë bashkëqytetarëve tanë në këtë aksident tragjik dhe shërim sa më të shpejtë për pacientët, duke siguruar se Qeveria do të qëndroj vazhdimisht pranë për të lehtësuar sadopak dhimbjen në këto momente të vështira për të gjithë ne.

(Kosova Sot Online)