
Meta ndau çmimin “Dekorata e Artë e Shqiponjës” Heroit të Kombit Rrustem Bruqi

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka nderuar me Dekoratën e Artë të Shqiponjës, ish-ushtarin Rrustem Bruqi, i cili ka rënë heroikisht në betejën e Loxhës afër Pejës.
Dekoratën e pranoi familja e tij në Presidencën Shqiptare.
Meta tha se është i nderuar të lavdërojë heronjtë e kombit që ruajtën vlerat, gjuhën dhe flamurin në kohët më të vështira.
“Historia e lavdishme, sakrificat sublime të bijave dhe bijve më të mirë për mbrojtjen e gjuhës, flamurit kombëtar, lirisë dhe pavarësisë, si dhe sukseset e sotme të shtetit të Kosovës i bëjnë nder dhe i japin krenari të gjithë kombit. Kontribut të shquar për lartësimin e vlerave dhe çështjes shqiptare kanë dhënë edhe dy personalitete të paharruara të Kosovës, Profesor Avdi Kelmendi dhe Komandant Rrustem Bruçi, të cilët pata sot privilegjin t’i vlerësoj me tituj të lartë”, ka shkruar ai.
Tutje ai shtoi se sakrifica e luftëtarëve duhet tu mësohet brezave të rinj me anë të nderimit të atyre që dhanë jetën për atdheun.
“Prof.Avdi Kelmendi, një nga organizatorët e demonstratave të vitit 1968 në Lipjan dhe rrethina, u burgos, u persekutua dhe u torturua, por asnjëherë nuk u dorëzua për t’i edukuar brezat e rinj me dashurinë për gjuhën shqipe, flamurin kombëtar dhe Shqipërinë. Komandant Rrustem Bruçi, që në ditët e para iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, organizoi dhe përgatiti luftëtaret e lirisë, për të rënë Dëshmor në betejën e Loxhës. Është në nderin tonë, që me vlerësimin që u bëjmë figurave të nderuara të kombit, të edukojmë me patriotizëm gjeneratat e ardhshme për mbrojtjen e Atdheut, sovranitetit dhe pavarësisë. Lavdi Dëshmorëve të Kombit!”, përfundoi ai.
(Kosova Sot Online)