Autoritetet kroate thonë se shoferi tani s’mund të ekstradohet në Kosovë: Nëse dënohet, ka mundësi

  • A.P /
  • 29 July 2021 - 18:34
Autoritetet kroate thonë se shoferi tani s’mund të ekstradohet në Kosovë: Nëse dënohet, ka mundësi

Në rast se dënohet, shoferi i autobusit të “Deva Tours”, nga përmbysja e të cilit afër qytetit Slavonski Brod në Kroaci dhjetë persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u lënduan, mund të kthehet në Kosovë për ta vuajtur dënimin. Ministria e Drejtësisë në Kroaci thotë se për t’u mundësuar kjo, duhet të plotësohen disa kushte.

Ministria e Drejtësisë dhe Administratës në Kroaci nuk e përjashton mundësinë që shoferi i cili e shkaktoi aksidentin e tmerrshëm të dielën afër Slavonski Brod, mund të ekstradohet në Kosovë në rast të dënimit.

Në një përgjigje të kësaj ministrie  theksohet se në këtë fazë të procedurës penale shoferi do të vazhdojë të mbahet në Kroaci.

“Procedurat e ekstradimit ndërmjet Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës do të zhvillohen në bazë të reciprocitetit. Sidoqoftë, duke pasur parasysh që në rastin për të cilin keni shkruar, i dyshuari është në paraburgim në Republikën e Kroacisë, e cila ka filluar procedimin penal kundër tij, nuk është i mundur të zbatohet ekstradimi në këtë rast të veçantë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë kroate të Drejtësisë dhe Administratës.

Nga kjo ministri permendin po ashtu një marrëveshje që ekziston mes Kosovës dhe Kroacisë, e ku parashihet marrja përsipër e procedurës penale.

“Në pajtim me Marrëveshjen për Ndihmën e Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës të nënshkruar në vitin 2012, në këtë rast është e mundur të aplikohet ndjekja penale, nëse organi gjyqësor kompetent kroat përcakton se ekzistojnë kushte për këtë dhe nëse Republika e Kosovës e merr përsipër procedurën”, thuhet në përgjigje.

Në rast se shoferi dënohet me burgim, ai mund të transferohet në Kosovë për ta vuajtur dënimin. Ministria kroate thotë se parakusht për këtë është plotësimi i kushteve të përshkruara nga legjislacioni i brendshëm i të dy shteteve.

“Në rast se një shtetas i Republikës së Kosovës dënohet ligjërisht me burgim në Republikën e Kroacisë, është e mundur që ai të transferohet në Republikën e Kosovës për ta vuajtur dënimin me burgim në vendin e tij me qëllim të rehabilitimit më të mirë shoqëror, nëse personi i dënuar e ka kërkuar transferimin dhe nëse janë përmbushur kushtet e përshkruara nga legjislacioni i brendshëm i të dy shteteve”, theksohet në përgjigjen Ministrisë së Drejtësisë dhe Administratës në Kroaci.


(Kosova Sot Online)