Shkencëtari kosovar që vepron në Britani: Vaksinohuni, varianti Delta po i hospitalizon edhe të rinjtë

  • E.K /
  • 30 korrik 2021 - 11:36
 Shkencëtari kosovar që vepron në Britani: Vaksinohuni, varianti Delta po i hospitalizon edhe të rinjtë

Farmacisti dhe shkencëtari kosovar që vepron në Londër të Britanisë së Madhe, Kreshnik Hoxha ka shkruar për rrezikun që varianti Delta i COVID-19 përbën për moshat e reja dhe pasojat e atyre që refuzojnë të vaksinohen.

Shkencëtari Hoxha ka shkruar se njërëzit e moshës 20 dhe 30-vjeçare në ShBA dhe Britani, të cilët janë infektuar me variantin Delta, janë duke përfunduar në spital shkaku i mosvaksinimit.

“Për krejt ata që po zgjedhin vaksina ose që po refuzojnë të vaksinohen: Ju në fakt po luani Zgjidh e Merr me jetën tuaj. Faktikisht, po zgjedhni mes vaksinës dhe hospitalizimit/vdekjes. Në Kosovë gjatë verës është krijuar iluzioni se pandemia ka marrë fund – interpretim ky që e mohon realitetin e Deltas, që momentalisht po lëshon rrënjë në Kosovë. Me Delta, njerëz 20-30 vjeçarë në Amerikë e Britani po përfundojnë në spitale sepse kanë refuzuar vaksinën. Kur po shtrihen për oksigjenoterapi, po kërkojnë vaksinë – por atëherë është vonë”, ka shkruar ai.

Ai poashtu ka thënë se vaksinimi ka shpëtuar jetë në Britani dhe vdekjet kanë pësuar ulje drastike.

“Gjatë 50 ditëve të para të valës së dytë dhe të tretë (momentalisht) në Britani, numri i rasteve është i njëjtë. Por vdekjet kanë pësuar ulje drastike falë vaksinave”, ka shkruar ai.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë vazhdimisht ka bërë thirrje që të mos ketë hezitime nga njerëzit por të vaksinohen masivisht.

Deri më tani 130, 511 janë vaksinuar me dy doza të vaksinës në Kosovë.

(Kosova Sot Online)