I nxehti “djeg” rajonin, të hënën thyhet termometri

  • G.G /
  • 31 July 2021 - 12:09
I nxehti “djeg” rajonin, të hënën thyhet termometri

Fenomen historik. Kështu e cilësojnë mediat fqinje të nxehtin afrikan që ka goditur Greqinë, por jo vetëm, pasi edhe Shqipëria ashtu si rajoni është përfshirë nga temperatura shumë të larta. Fundjava do të vijojë me këtë nivel, ndërsa ditën e hënë Observatori Kombëtar i Athinës parashikon që temperaturat të shkojnë mbi 45 gradë celsius. Një situatë e pazakontë prej dekadash.

Por cila është arsyeja që kjo valë nxehtësie ka një kohëzgjatje kaq të gjatë dhe shoqërohet me temperatura kaq të larta? “Përgjigja qëndron në lëvizjen e rrymës së nxehtësisë që po lëviz nga perëndimi në lindje.

Ditët e fundit rryma ndodhet e zhvendosur më në jug në rajonin e Evropës Perëndimore gjë që rezultoi në zhvillimin e një fushe me presione të larta mbi rajonin tonë dhe rritje graduale të temperaturës. Kjo pritet që të vazhdojë deri në fillim të javës së re, duke kulmuar të hënën” shkruajnë mediat greke.

Për këtë arsye në Greqi ministria e Shëndetësisë ka marrë masa të menjëhershme që lidhen me; gatishmërinë e shtuar për të parandaluar zjarret, funksionimin e pandërprerë të infrastrukturës për situatat kritike, ofrimin e shërbimeve për grupet që janë më të rrezikuara, që kërkojnë strehim si dhe kujdesin e mbrojtjen e punonjësve.

(Kosova Sot Online)