“Shtëpia e babait u dogj, shkoi”, rrëfimi i turkes për zjarret masive në Turqi

  • E.K /
  • 03 August 2021 - 11:05
 “Shtëpia e babait u dogj, shkoi”, rrëfimi i turkes për zjarret masive në Turqi

Së paku tre persona kanë vdekur nga zjarri më i madh që është përhapur në Turqi, në Manavgat, sipas Drejtorisë për Fatkeqësi Natyrore dhe Emergjenca në Turqi.

Në fshatin Kacarlar, banorët po shohin me dhimbje se si shtëpitë e ndërtuara prej tyre po bëhen shkrumb e hi.

“Shtëpia e babait tim u dogj. Shkoi”, thotë gruaja 48-vjeçare, Gulay Kacar, para se të shtonte: “Po vrapoj për t’i zgjidhur kafshët.”

Namet Atik, fermer 37-vjeçar nga një fshat fqinj, tha se erdhi në Kacarlar për të ndihmuar. “Çfarëdo që ka nevojë ky fshat, jemi këtu për ta”, i tha ai televizionit amerikan, CNN.

“U sjellim ujë, veturat tona, traktorët dhe sharrat. Ne jemi fshatar pylli. Jetesa jonë është në pyll. Nëse zjarri përhapet, nuk ka kthim”, shtoi ai.

Rreth 4.000 punëtorë, bashkë me qindra automjete të emergjencës, janë angazhuar nga qeveria për t’i luftuar zjarret këtë javë.

Së paku 77 shtëpi janë dëmtuar në provincën e Antalias dhe mbi 2.000 kafshë të fermave kanë ngordhur, tha ministri turk i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Bekir Pakdemirli.

“Kafshët janë në zjarr. Gjithçka do të digjet. Toka jonë, kafshët tona dhe shtëpia jonë. Çka na mbetet tjetër”, thotë banori Muzeyyan Kacar.

(Kosova Sot Online)