Irani s’e njeh Kosovën, Serbia e shpërblen me 50 mijë vaksina “Sputnik V”

  • G.G /
  • 06 August 2021 - 11:31
Irani s’e njeh Kosovën, Serbia e shpërblen me 50 mijë vaksina “Sputnik V”

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, po qëndron në Teheran, ku njoftoi se vendi i tij do t’i dhurojë Iranit 50.000 doza të vaksinës “Sputnik V”.

Daçiqi tha se Irani është shtet mik i Serbisë, ndërsa përmendi edhe faktin që ky vend nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Kam përcjell vendimin e qeverisë së Serbisë që t’i dhurojmë 50.000 doza të vaksinës ‘Sputnik V’ për popullin e Iranit. E dimë që kjo është një sasi e vogël për një vend kaq të madh, por është gjest miqësor”, tha Daçiqi në Teheran ku mori pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të këtij vendi, Ebrahim Raisi, transmeton Zeri.info.

Kryekuvendari serb tha se Serbia dhe Irani janë shtet mike tradicionalisht, dhe kjo daton që nga kohët e ish-Jugosllavisë, transmetoi televizioni publik serb.

“Kisha një bisedë të mirë me presidentin e parlamentit të Iranit. Ne kemi marrëdhënie të mira, këto marrëdhënie janë veçanërisht të shprehura në mbështetje reciproke. Irani nuk e ka njohur Kosovën, Irani e mbështetë Serbinë në organizatat ndërkombëtare. Nga ana tjetër, Serbia merr parasysh interesat e Iranit dhe udhëheq politikën e jashtme në një mënyrë që nuk varet nga diktatet që vijnë nga pjesë të caktuara të botës, por udhëhiqet nga interesat kombëtare dhe shtetërore”, theksoi Daçiqi.

(Kosova Sot Online)