Del në gjyq mësuesi i akuzuar për vrasjen dhe ngrënien e mekanikut

  • A.P /
  • 10 August 2021 - 15:48
Del në gjyq mësuesi i akuzuar për vrasjen dhe ngrënien e mekanikut

Një mësues 41 vjeç, i akuzuar për vrasjen e një burri tjetër dhe ngrënien e pjesëve të trupit të tij, ka dalë para gjyqit në Berlin të Gjermanisë.

Prokurorët thonë se i akuzuari ishte takuar me viktimën, mekanik 43 vjeç, në një uebfaqe për takime romantike disa orë para vrasjes së shtatorit, raportoi agjencia gjermane e lajmeve, Deutsche Presse-Agentur. Ata thanë se nuk ka shenja që viktima kishte pranuar të vritej.

Autoritetet gjermane nuk i kanë publikuar emrat e të akuzuarit dhe viktimës për arsye privatësie, shkruan The Guardian.

Policia kishte kaluar disa javë duke e kërkuar mekanikun e zhdukur para se disa eshtra të gjendeshin në një pyll në veri të Berlinit dhe i dyshuari të gjendej me ndihmën e qenve nuhatës.

Rasti që filloi në një gjykatë shtetërore të Berlinit e që pritet të zgjasë deri në tetor, nuk është i pari i këtij lloji në Gjermani.

Në vitin 2006, një gjykatë gjermane e kishte dënuar Armin Meiwes-in për vrasje dhe pengim të paqes për vrasjen dhe ngrënien e një burri me të cilin ishte njoftuar përmes internetit. Ai është duke e vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm.

Në vitin 2015, një oficer policie në Gjermani ishte dënuar për vrasjen e një burri me të cilin ishte njoftuar në internet. Prokurorët kishin thënë se viktima fantazonte për ndjenjën e të qenët i ngrënë, por nuk kishte dëshmi se i dyshuari kishte bërë një veprim të tillë.


(Kosova Sot Online)