
Kurti apel mërgatës: Regjistrohuni për votime në zgjedhjet e 17 tetorit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje mërgatës shqiptare, që të regjistrohen për votim në zgjedhjet lokale.
Përmes një video-adresimi, Kurti e quajti të një rëndësie të madhe pjesëmarrjen në zgjedhjet e 17 tetorit.
Kryeministri thotë se vota e mërgatës shumë herë është treguar vendimtare në përcaktimin e kursit politik e zhvillimor në Kosovë.
“Deri më datë 18 gusht është afati i regjistrimit për të votuar prej jashtë vendit. Nxitoni, regjistrohuni, dhe ndihmoni e inkurajoni të tjerët ta bëjnë një gjë të tillë. Andaj mos e lëni për ditën e radhës apo ditën e fundit, aplikoni sa më parë dhe hyni në rrjedhën teknologjike që do ju përcjellë me instruksione deri në ditën e votimit. Qyteti e lagjja, komuniteti e familja, kushtet më të mira për jetë dhe mundësitë tona për zhvillim janë të lidhura me nivelin lokal para së gjithash andaj t’ia njohim rëndësinë e vërtetë zgjedhjeve të 17 tetorit”, është shprehur Kurti.
(Kosova Sot Online)