Albulena Haxhiu: Ende nuk kemi vendosur për skenarin se si do ta bëjmë vetting-un

  • E.K /
  • 11 August 2021 - 12:14
 Albulena Haxhiu: Ende nuk kemi vendosur për skenarin se si do ta bëjmë vetting-un

Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Albulena Haxhiu tha se institucioni që ajo udhëheq ende nuk ka vendosur për skenarin me të cilin do të bëhet procesi i vetting-ut në sistemin e drejtësisë.

Gjatë një konference për media të mërkurën, pas mbledhjes së qeverisë, Haxhiu tha se janë duke punuar me intensitet që të bëhet vetting-u, pasi siç tha, ky proces është “kërkesë shoqërore”.

“Ende nuk kemi vendosur se cilin skenarë do ta ndjekim, por nëse nuk shkojmë me ndryshime kushtetuese do ta kemi edhe planin B, që nëse në Kuvendin e Kosovës dështojnë ndryshimet kushtetuese ta kemi edhe planin B përmes ndryshimeve ligjore. Kemi thënë se jemi duke punuar me ekspertë që të shohim që të mos bëjmë ndonjë gabim në këtë drejtim”, tha Haxhiu.

Ministrja Haxhiu tha se shumë shpejt do të dalin me skenarin për vetting, por shtoi se për këtë duhet që të ketë konsensus politik.

“Besoj që shumë shpejt do të dalim me skenarin dhe në këtë drejtim unë mendoj që është i rëndësishëm edhe konsensusi politik, gjegjësisht planifikoj që shumë shpejt t’i takoj edhe grupet e tjera parlamentare, në mënyrë që ta kemi mbështetjen e tyre për një proces që është shumë i rëndësishëm dhe në shërbim të qytetarëve”, tha ajo.

Vetting-u është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

(Kosova Sot Online)