Temperaturat shkojnë mbi 48 gradë celsius në këtë vend

  • E.K /
  • 12 August 2021 - 10:49
Temperaturat shkojnë mbi 48 gradë celsius në këtë vend

“Luçiferi” ka mbërthyer me të gjithë forcën Italinë jugore, me termometrin që ka shënuar vlera rekord dhe zjarret që po shkrumbojnë sipërfaqe të tëra. Në Sirakuza të ishullit të Siçilisë mund të jetë shënuar temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Evropë, prej 48.8 gradë celsius.

Sipas Organizatës Botërore të Meteorologjisë, rekordi paraprak ishte shënuar në Athinë në vitin 1977, ku mërkuri preku vlerën e 48 gradëve.

3 persona humbën jetën si pasojë e zjarreve në Kalabri dhe Sicili, ku situtata është vecanërisht alarmante.

Ato i shtohen 2 viktimave të tjera të shënuara në Aspromonte disa ditë më parë. Në Campania një burrë është në gjendje të rëndë.

Zjarrfikësit thanë se ishin përfshirë në më shumë se 300 operacione në Siçili dhe Kalabri përgjatë 12 orëve, duke luftuar edhe gjatë natës me flakët që kanë djegur mijëra hektarë tokë.

“Qyteza jonë e vogël u pushtua nga flakët. Është nje katastrofë. I gjithë parku i Calaforno-s dhe zonat rreth e rrotull po digjen. Po jetojmë ditë shumë të trishta pasi territori ynë ka humbur shumë”, shprehet një banore.

Vala e fundit e të nxehtit në Itali po shkaktohet nga anticikloni, i pagëzuar si “Luçifer”, dhe që vjen nga Afrika.

Ai parashikohet të zhvendoset drejt veriut, përgjatë Italisë kontinentale, duke rritur edhe më tej temperatura në qytete të tjera, përfshirë Romën. Ministria e Shëndetësisë ka aktivizuar alarmin e kuq për nxehtësi ekstreme në disa rajone, ndërsa numri i qyteteve që përballen me rrezik maksimal shëndetësor do të rritet nga 8 në 15.

(Kosova Sot Online)