Kurti dhe Mehaj presin anëtarët e Task Forcës së FSK-së që morën pjesë në aksionin për shuarjen e zjarrve në Shqipëri

  • E.K /
  • 12 August 2021 - 12:54
 Kurti dhe Mehaj presin anëtarët e Task Forcës së FSK-së që morën pjesë në aksionin për shuarjen e zjarrve në Shqipëri

Qeveria e Kosovës përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj kanë pritur në takim pjestarës e Task-Forcës reaguese të FSK-së që morën pjesë në operacionin për shuarjen e zjarreve në Shqipëri.

“Pjesëtarët e Task-Forcës Reaguese të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët morën pjesë në operacionin për shuarjen e zjarreve në Republikën e Shqipërisë, u mirëpritën në një takim falënderues nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Tutje, nga kryeministria thonë se me 9 gusht, me urdhër operacional, FSK kishte zbarkuar në Republikën e Shqipërisë si pjesë e kontingjentit të përbërë nga tri skuadra të zjarrëfikjes dhe shpëtimit të Gardës Kombëtare, si dhe një ekip të Kompanisë për Operacione me Civil.

“Gatishmëria, kontributi dhe angazhimi i juaj meriton vlerësimin dhe mirënjohjen më të lartë nga të gjithë ne, tha Kryeministri Kurti në takim. Ai shtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës i qëndron pranë zotimit të saj për të dhënë vëmendjen e merituar Forcës së Sigurisë, duke i ngritur kapacitetet profesionale në shërbim të misionit të saj”, bëhet e ditur.

(Kosova Sot Online)