Audio-incizimet e publikuara, Zëvendësministri i Drejtësisë për kryeprokurorin: Po të kishte integritet moral do të jepte dorëheqje

  • G.G /
  • 12 August 2021 - 16:13
Audio-incizimet e publikuara, Zëvendësministri i Drejtësisë për kryeprokurorin: Po të kishte integritet moral do të jepte dorëheqje

“Po të kishte pak integritet moral do të kishte dhënë dorëheqje”.

Kështu ka deklaruar zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu për kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi, të mërkurën.

Kjo pasi, Gazeta Online Shqip.com, publikoi audio-incizimet “Inteligjenca e Zhvatjes”, në të cilën protagoniste ishte edhe Shemsije Asllani, Prokurore e Krimeve të Rënda, ndërsa në një audio-incizim tjetër ishte i përfshirë edhe Gjykatësi i Krimeve të Rënda, Driton Muharremi– por nga ajo që dëgjohej implikohej edhe Lumezi.

Lumezi më 5 gusht, përmes telefonit në “Debat Plus”, ka deklaruar se audio-incizimet do të hetohen nga Prokuroria Speciale.

Por, nuk ka përmendur opsionin e dorëheqjes – mirëpo këtë po ia kërkojnë nga Ministria e Drejtësisë.

I dyti në këtë dikaster, Blerim Sallahu, u pyet se pse nuk po e shkarkojnë Aleksandër Lumezin.

Përgjigja e tij ishte se “Ministria e Drejtësisë është logjistikë e sistemit të drejtësisë dhe se shkarkimi i kryeprokurorit nuk është nën kompetencat e tyre”.

Për këtë, drejtori i Institutit Kosovar për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka treguar për Shqip.com se cila është procedura e shkarkimit të një kryeprokurori, referuar ligjeve në fuqi.

“Këshilli Prokurorial fillon procedurën disiplinore, formohet komisioni i përberë nga prokurorë. Nëse komisioni vlerëson se ka bërë shkelje të rendë i propozon KPK shkarkimin. Nëse KPK e miraton shkarkimin e dërgon propozimin për shkarkim te Presidenti”, ka thënë ai.

Për sa i përket rolit të Presidentit në këtë çështje, Miftaraj deklaroi se “është rol solemn”.

Por, Këshilli Prokuroria po kritikohet për “mos-veprim” nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Të mërkurën përmes një konference për media, Haxhiu deklaroi se “nuk mund t’i mbështesë kur ata duan t’i mbyllin sytë përballë shkeljeve dhe skandaleve me të cilat jemi përballur ditëve të fundit”.

“Në momentin kur nuk ka reagime si ajo për audio-incizimet, padyshim që do të kritikohen nga Ministria e Drejtësisë”, ka deklaruar Haxhiu.

Këshilli Prokurorial i Kosovës beson se “po atakohen padrejtësisht e vazhdimisht nga Ministria e Drejtësisë”.

“Ndihma që pushteti ekzekutiv mund t’i japë sistemit prokurorial është propozimi i ligjeve adekuate në koordinim dhe bashkëpunim me Këshillin Prokurorial dhe Prokurorin e Shtetit për të avancuar pozitën e këtyre institucioneve dhe për t’i plotësuar nevojat e tyre në realizimin e mandatit kushtetues dhe ligjor, ashtu siç është e përcaktuar edhe me ndarjen e pushteteve”, thuhet në reagimin e tyre, më 11 gusht.

Më 4 gusht, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka parashtruar kërkesë për inicimin e procedurës disiplinore ndaj Prokurores së Krimeve të Rënda, Shemsije Asllani.

Në bisedën e siguruar nga Shqip.com prokurorja e krimeve të rënda në Prishtinë, Shemsije Asllani, i tregon një telefonuesi se si ka ndikim të madh brenda sistemit dhe do ta përdorë këtë ndikim për të ndërhyrë edhe në rastin e tij.

https://www.youtube.com/watch?v=FF2o4ugqlVo&feature=emb_title

Pas publikimeve të audio-incizimeve pos Shemsije Asllanit, të përfshirë kanë qenë edhe drejtori i atëhershëm i Njësitit për Inteligjencë Financiare, Dardan Nuhiu, si dhe Gjykatësi i Krimeve të Rënda, Driton Muharremi.

Dardan Nuhiu është shkarkuar me vendim të Ministrisë së Financave, më 3 gusht.

Ndërsa, Driton Muharremi më 6 gusht kishte dhënë dorëheqje nga Këshilli Gjyësor i Kosovës. 

Shqip.com, ka publikuar edhe audio-incizimin, ku autori i emisionit “Indoks”, Visar Duriqi bisedonte për “Pazar lajmesh”, me të dyshuarin si “agjent rus”, Halit Sahitajn.

(Kosova Sot Online)