IKSHPK: 38.8 për qind e popullatës kanë antitrupa ndaj Covid-19, nuk është arritur imuniteti kolektiv

  • A.P /
  • 12 August 2021 - 18:59
IKSHPK: 38.8 për qind e popullatës kanë antitrupa ndaj Covid-19, nuk është arritur imuniteti kolektiv

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka realizuar një hulumtim seroepidemiologjik, në bazë të së cilit kanë kuptuar se 38.8 për qind e popullatës kanë antitrupa IgG. Këto antitrupa, të mbetura në gjak pas kalimit të infeksionit, tregojnë se mund ta keni kaluar koronavirusin dhe se keni zhvilluar antitrupa që mund t’iu mbrojnë në një të ardhme të pacaktuar.

Një gjë të tillë e ka bërë vetë IKSHPK’ja me anë të një postimi të lëshuar në faqen e tyre në ‘Facebook’, teksa kanë bërë thirrje për vaksinim masiv nga mosha 18-vjeçare e tutje.

“Rezultatet preliminare tregojnë se 38.8% e popullatës ka IgG pozitive, ku veçuar sipas rajoneve numri më i madh i personave me IgG pozitiv janë gjetur në rajonin e Prizrenit me 45.6% dhe Ferizajit me 45.3%. Pastaj, vie rajoni i Prishtinës me 40.0%, rajoni i Gjakovës me 39.5%, Gjilanit 36.3%, Pejës 35.0%, kurse numri më i vogël i IgG pozitive janë gjetur në rajonin e Mitrovicës me 23.4%”, thuhet në postim.

“Pasi që në hulumtimin seroepidemiologjik rezultatet tregojnë se vetëm 38.8% e popullatës ka IgG pozitive, rezultatet e hulumtimit tregojnë qartë se akoma nuk është arritur imuniteti kolektiv i duhur për tu mbrojtur nga Pandemia COVID-19 andaj masa më efikase më e mirë dhe më e lirë është vaksinimi masovik i popullsisë së Republikës së Kosovës”, shkruhet tutje.

Tutje Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë thirrje të respektohen masat e reja, të ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë së enjten.

Postimi i plotë i IKSHPK-së:

QYTETARË TË NDERUAR!

VAKSINOHUNI !

Rastet pozitive me SARS CoV-2 janë rritur në mënyrë rapide javën e fundit! Pos masave tashmë të njohura: bartja e maskave, mbajtja e distancës dhe mbajtja e higjienës, e keni dispozicion metodën më të mirë, më të lirë dhe më efikase në luftë kundër COVID-19:VAKSINIMI!

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka realizuar hulumtimin seroepidemiologjik të bazuar në popullatë i shtresuar sipas moshës për infeksionin SARS CoV-2 (COVID-19) në Kosovë, i realizuar sipas protokolit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ky hulumtim është ndër të rrallët në botë që është bërë i bazuar në popullatë i realizuar nga ekipet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosoves dhe gjashtë Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike, nga profesionistë të trajnuar në bashkëpunim me OBSH.

Rezultatet preliminare tregojnë se 38.8% e popullatës ka IgG pozitive, ku veçuar sipas rajoneve numri më i madh i personave me IgG pozitiv janë gjetur në rajonin e Prizrenit me 45.6% dhe Ferizajit me 45.3%. Pastaj, vie rajoni i Prishtinës me 40.0%, rajoni i Gjakovës me 39.5%, Gjilanit 36.3%, Pejës 35.0%, kurse numri më i vogël i IgG pozitive janë gjetur në rajonin e Mitrovicës me 23.4%.

Pasi që në hulumtimin seroepidemiologjik rezultatet tregojnë se vetëm 38.8% e popullatës ka IgG pozitive, rezultatet e hulumtimit tregojnë qartë se akoma nuk është arritur imuniteti kolektiv i duhur për tu mbrojtur nga Pandemia COVID-19 andaj masa më efikase më e mirë dhe më e lirë është vaksinimi masovik i popullsisë së Republikës së Kosovës.

Andaj fuqishëm rekomandojmë vaksinimin masovik të popullsisë mbi 18 vjet.

Rekomandohet fuqishëm që të vaksinohen të gjithë punëtorët shëndetësor, të gjithë punëtorët arsimor, policia e shtetit dhe administrata dhe e tërë popullata.

Zbatoni rekomandimet e IKSHPK dhe Ministrisë së Shëndetësisë për të mbajtur në kontroll e situatës epidemiologjike dhe ndërmarrja e masave për ndërprerjen e përhapjes duke u zbatuar me përpikëri vendimet e Qeverisë, në të gjitha degët e ekonomisë dhe veprimtaritë arsimore e institucionale, ku ka grumbullim të pakontrolluar të njerëzve, sipas Udhëzuesve të Ministrisë së Shëndetësisë që do të na mundësojnë të dalim nga pandemia COVID-19 me sa më pak pasoja dhe t’ i kthehemi jetës normale.

VAKSINOHUNI!

MASKA! DISTANCA! HIGJIENA!

JU LUTEMI SHMANGUNI GRUMBULLIMEVE!

(Kosova Sot Online)