“Vjedhja e shekullit”, hakerat kthejnë kriptomonedhat

  • E.K /
  • 13 August 2021 - 11:25
 “Vjedhja e shekullit”, hakerat kthejnë kriptomonedhat

Hakerat vodhën rreth 600 milion dollarë kriptovalutë nga platforma e financave të decentralizuara, Poly Network, në atë që mendohet se është vjedhja më e madhe në historinë e industrisë.

Pas ngjarjes, Poly Network krijoi disa adresa në të cilat tha se hakerat mund të rikthejnë paratë. Që nga ora 7:47 e mëngjesit të mërkurën, kompania tha se ata kishin kthyer rreth 261 milion dollarë.

Ndërsa sot ata besohet se kanë kthyer më shumë se 610 milionë dollarë. Platforma Poly Network, e cila ishte pak e njohur para grabitjes të së martës, e konsideroi hakerin në Twitter si një “white hat”, duke iu referuar hakerave etikë të cilët në përgjithësi synojnë të ekspozojnë dobësitë kibernetike dhe nuk prishin sistemet kompjuterike.

Një person që pretendon se ka kryer vjedhjen tha se Poly Network i ofroi atij një shpërblim prej 500,000 dollarësh për të kthyer kriptomonedhat dhe premtoi se ai nuk do të ishte përgjegjës për incidentin, sipas mesazheve të shpërndara në Twitter nga Tom Robinson, shkencëtari kryesor dhe bashkëpunëtori themelues i Elliptic, një firmë për gjurmimin e kriptomonedhave.

Hakerat, ende të paidentifikuar, duket se kanë shfrytëzuar një dobësi në kontratat digjitale që Poly Network përdor për të lëvizur asetet midis blockchains të ndryshëm, sipas kompanisë kriminalistike Chainalysis. Blockchain është teknologjia themelore kriptografike që e bën transferimin e monedhave.

Disa analistë mendojnë se ata mund ta kenë pasur shumë të vështirë që të pastrojnë kriptomonedhat e vjedhura. Sipas Chainalysis, hakerat kanë vjedhur “për argëtim” dhe e kanë cilësuar sulmin si një sfidë.

(Kosova Sot Online)