Nxit reagime videoja e diplomatit duke u sulmuar në veturë nga zyrtarët e një shteti

  • E.K /
  • 14 August 2021 - 12:55
 Nxit reagime videoja e diplomatit duke u sulmuar në veturë nga zyrtarët e një shteti

Një sulm ndaj një diplomati nigerian brenda një veture në lëvizje në Indonezi nga zyrtarët për migracion në këtë shtet ka nxitur reagime ndërkombëtare. Qeveria nigeriane e dënoi incidentin dhe kërkoi dënim për personat e përfshirë.

Nigeria e ka thirrur ambasadorin e vet në Xhakarta për të dhënë raport të plotë rreth këtij incidenti si dhe e ka ftuar në raportim ambasadorin indonezian në Abuja, shkruan Independent.

Tensionet u shtuan pasi në videon e publikuar, e shpërndarë shumë në rrjetet sociale, diplomati Abdulrahman Ibrahim mbahet me forcë nga së paku tre burra dhe bërtet në dhimbje brenda një veture afër rezidencës së tij në Xhakarta.

Nuk dihet data e saktë e videos, por incizimi po shihet si shembull i trajtimit të padrejtë që u bëhet shtetasve të Nigerisë jashtë vendit.

Në video, diplomati shihet duke u mbajtur në duar, këmbë e fytyrë nga disa burra dhe dëgjohet duke u ankuar: “S’po mund të marr frymë, qafa, qafa…”

Disa ditë pas publikimit të videos, Ministria e Jashtme e Indonezisë tha se i vjen keq për incidentin dhe se për këtë rast kanë nisur hetime.

(Kosova Sot Online)