Çfarë po ndodh në Afganistan dhe pse po kërkohet nga Amerika strehimi i afganëve

  • A.P /
  • 15 August 2021 - 12:46
Çfarë po ndodh në Afganistan dhe pse po kërkohet nga Amerika strehimi i afganëve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar Kosovës strehimin e disa mijëra refugjatëve afganë, ndonëse të shqetësuar për aftësinë e shtetit të Kosovës për strehimin e tyre. Kështu raportoi të premten agjencia e lajmeve Reutres sipas dy burimeve që citohen të kenë thënë se SHBA-ja i ka ofruar Kosovës stimuj ekonomikë dhe politikë në shkëmbim të pranimit të disa mijëra afganëve.

Helikopterët janë parë sot pranë Ambasadës amerikane dhe makinat e blinduara janë parë duke u larguar, ka raportuar Associated Press. Ndërkaq, diplomatët kanë shkatërruar dokumentet e ambasadës, tha AP, duke cituar zyrtarë anonimë të ushtrisë amerikane.

Pallati presidencial në Afganistan tha se kanë dëgjuar të shtëna armësh në disa pika përreth Kabulit, por forcat e sigurisë, në koordinim me parnerët ndërkombëtarë, e kanë kontrollin e qytetit.

Një zyrtar afgan i ka thënë AP-së se negociatorët talibanë janë nisur drejt Pallatit presidencial për t’u përgatitur për “transferimin” e pushtetit. Ky zyrtar tha se qëllimi është që të ketë një transferim paqësor të pushtetit te militantët talibanë.

Talibanët më 15 gusht morën pa luftë edhe qytetin Jalalabad, më pak se 24 orë pasi morën nën kontroll edhe qytetin Mazar-e Sharif.

Militantët postuan fotografi online teksa qëndruan brenda zyrës së guvernatorit të Jalalabadit, që është kryeqytet i provincës Nangarhar.

Abrarullah Murad, një ligjvënës nga provinca Nangarhar i tha agjencisë Associated Press se kryengritësit morën Jalalabadin pasi përfaqësuesit fisnor negociuan rënien e qeverisë në këtë qytet.

Humbja e Jalalabadit dhe Mazar-e Sharif është një goditje për presidentin, Ashraf Ghani, i cili iu adresua kombit më 14 gusht, duke u zotuar se nuk do të heqë dorë nga “arritjet” e 20 vjetëve të fundit, që prej pushtimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që hoqi nga pushteti talibanët pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Por pse Amerika po kërkon nga Kosova dhe Shqipëria strehimin e mijëra afganëve?

Pas avancimit të talibanëve, presidenti amerikan, Joe Biden më 14 gusht autorizoi dërgimin e 1.000 trupave të marinës. Ata do t’iu bashkohen edhe 3.000 trupave që u autorizuan edhe më herët, për të siguruar tërheqjen e personelit ushtarak amerikan. Këto trupa do t’iu bashkohen mbi 650 pjesëtarëve të personelit që veçse janë në Kabul, të cilët po kujdesen për sigurinë diplomatike.

Trupat amerikane arritën më 14 gusht për të mbrojtur dhe ndihmuar operacionin e evakuimit dhe po ashtu për të ndihmuar në mbajtjen nën kontroll të aeroportit.

Në njoftimin e Bidenit për dërgimin e trupave shtesë, po ashtu u tha se presidenti amerikan qëndron prapa vendimit të tij për të tërhequr trupat amerikane nga misioni në Afganistan.

“Gjatë 20 vjetëve të luftës sonë në Afganistan, Amerika ka dërguar burrat dhe gratë më të mirë, ka investuar pothuajse 1 trilion dollarë, ka trajnuar mbi 300.000 ushtarë dhe policë afganë, i ka pajisur ata me pajisjet më të mira ushtarake dhe ka mirëmbajtur forcat e saj ajrore si pjesë e luftës më të gjatë në historinë amerikane”, tha presidenti Biden.

“Edhe një vit apo pesë të prezencës së ushtrisë amerikane nuk do të bënte dallimin nëse ushtria afgane nuk mund ta mbajë vetë shtetin. Dhe një prezencë e pafundme amerikane në mesin e një konflikti civil në një shtet tjetër nuk ishte e pranueshme për mua”, shtoi presidenti Biden.

Siç raportoi Reutres të premtën mbrëma, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka zhvilluar bisedime të fshehta me më shumë vende sesa ishin bërë publike, për të arritur marrëveshje për të strehuar përkohësisht afganët që kanë punuar me forcat amerikane në Afganistan.

Reuters citon dy burime t’i kenë thënë se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kosovës stimuj ekonomikë dhe politikë në shkëmbim të pranimit te disa mijëra afganëve. Por, diplomatët amerikanë kanë thënë se Uashingtoni ka shqetësime lidhur me aftësinë e Kosovës për të strehuar afganët.

Nga Qeveria e Kosovës, kanë thënë  se janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet shtëtërore dhe ushtarake amerikane rreth kësaj çështje.

“Që nga mesi i korrikut jemi në komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me autoritetet shtetërore dhe ushtarake amerikane për këtë çështje të dhimbshme e të ndjeshme. Ka shumë punë logjistike e teknike, të sigurisë dhe sociale, që po i trajtojmë me kujdes. ShBA-të janë aleati ynë kryesor dhe partneri ynë strategjik. Gjithçka do të përmbyllet mire”, kanë thënë nga Qeveria 

Në anën tjetër kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka thënë se Kosova duhet t’i përgjigjet pozitivisht strehimit të afganëve nëse kërkohet nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai tha se Shqipëria nuk do t’i thotë jo kësaj kërkese që vjen nga SHBA-ja, duke shtuar se Shqipëria nuk ua përplas derën në fytyrë të panjohurve që trokasin për mbrojtje.

“Është e vërtetë po, se ditët e fundit qeveria amerikane i ka kërkuar Shqipërisë të vlerësojë nëse mund të shërbejë si një vend tranzit, për një numër të caktuar emigrantësh politikë afganë, të cilët destinacion fundor kanë Shtetet e Bashkuara. Dhe padiskutim që ne nuk do të themi jo, e jo thjesht pse na e kërkojnë aleatët tanë të mëdhenj, po sepse ne jemi Shqipëria! Shqipëria është shtëpia e shqiptarit që as me Kanun, as me Zakon, e as me Moral po të doni, nuk ua përplas derën në fytyrë të panjohurve që trokasin për mbrojtje”, shkroi Rama.

Lidhur me këtë çështje ka folir edhe profesori Blerim Latifi i cili tha se Kosova duhet të ndjekë shembullin e Shqipërisë.

Ai shtoi se një nga amanetet e lashta të të parëve ka qenë: Me marrë n’besë të pambrojturin që të troket në derë.

Edhe ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, tani nënkryetare në PDK, Vlora Çitaku, thotë se Kosova duhet të tregojë zemërgjerësi dhe të pranojë një numër të refugjatëve nga Afganistani.

Çitaku shtoi se Kosova e di shumë mirë momentin kur dëbohesh dhunshëm nga shtepia.

(Kosova Sot Online)