Si askund tjetër në botë: Mbi 2000 infektime brenda ditës, ministri i hyn fushatës

  • A.P /
  • 18 August 2021 - 16:32
Si askund tjetër në botë: Mbi 2000 infektime brenda ditës, ministri i hyn fushatës

Derisa Kosova po shkon drejt një vale të katërt të pandemisë COVID-19, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia po i hyn fushatës zgjedhore. Deputetë të opozitës e njohës të Shëndetësisë kritikojnë vendimin e marrë për kandidaturën e tij për të parin e Prishtinës, derisa thonë se kësisoj në situatën e krijuar me pandeminë nuk do të ruhet shëndeti i qytetarëve.

 

Molliqaj ia kujton Kurtit deklaratën ku kërkonte të vlerësohej për ulje të rasteve me COVID-19

Kosova ka regjistruar 2 mijë e 210 raste të reja të infektuara me COVID-19 vetëm në 24 orët e fundit. Derisa, numri i rasteve të reja të infektuara me këtë virus ka qenë i lartë edhe ditëve të kaluara.

Në kohën kur Kosova po regjistron pothuajse për çdo ditë rekorde për numrin më të madh të rasteve të infektuara me COVID-19, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia po i hyn fushatës zgjedhore

Lëvizja Vetëvendosje e ka zyrtarizuar ditë më parë kandidaturën e Arben Vitisë për kryetar të Kryeqytetit.

Ndërsa, një vendim i tillë nuk është kritikuar nga deputetë të opozitës e njohës të shëndetësisë.

Ata shprehen se me kandidimin e Vitisë për kryetar të Prishtinës, po tregohet se jeta dhe shëndeti i qytetarëve për Qeverinë e Arben Vitinë nuk janë prioritet.

Deputeti nga radhët e PDK’së, Bekim Haxhiu ka thënë ditë me parë se lufta për pushtet është prioritet i Kurtit dhe Vitisë, e jo beteja me pandeminë e vaksinimi i qytetarëve.

Ndërsa, ish-ministri i Shëndetësisë, njëherësh deputet nga radhët e LDK’së, Armend Zemaj ka thënë dje se ministri Vitia dhe Qeveria Kurti nuk kanë plan për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve dhe jetës së tyre, derisa ka theksuar se kjo qeveri është në hall për fushatën zgjedhore e luksin e zyrave të qeverisë.

“Dërgimi në rrugën e infeksionit e jo parandalimit me vaksinë. Çka është ky, menaxhim? JO! Qeveria Kurti dhe “Mindil Vitia” s’kanë as plan dhe as zgjidhje për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve dhe jetës së tyre. Kjo Qeveri ka hall tjetër, luksin e zyrave të qeverisë, agjendën populliste për vota dhe fushatën zgjedhore. Normal, edhe po bëjnë “praktikë”, me pushtet dhe me shëndet”, ka shkruar ai.

Kritika ka pasur edhe drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala.

Ai ka deklaruar për Express se shëndeti i qytetarëve nuk mund të mbrohet në momentin kur ministri Vitia do të jetë edhe pjesë e fushatës edhe pjesë e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Ministria Vitia është kandiduar për kryetar të Prishtinës. Nuk ka kuptim që ministri edhe të shkoj në fushatë edhe të mbaj postin e ministrit. Natyrisht kjo ndikon në kualitetin e mbrojtjes së jetës së qytetarëve”, ka thënë ai.

Mirëpo, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka lëvduar punën e ministrit Arben Vitia, derisa ka  thënë për Express se asnjëherë nuk do të lënë anash asgjë dhe se do të marrin gjithçka me përgjegjësinë më të plotë.

Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po punon për vaksinim dhe reforma në shëndetësi dhe se do të punojë edhe për transformim në nivel të pushtetit lokal.

“Qeverisja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ashtu siç është̈ zotuar dhe po punon për vaksinim dhe reforma në shëndetësi, do të punojë edhe për transformimin në nivel të pushtetit lokal. Me vullnetin e qytetarëve, Kosova do të zhvillohet dhe korrupsioni do të mposhtet. Akuzat që vijnë prej fajtorëve, nuk na stepin. Asnjëherë̈ nuk do të lëmë̈ anash asgjë̈, gjithçka do të marrim me përgjegjësi të plotë. Do t’u shërbejmë̈ qytetarëve me parimet para të cilëve prezantohemi dhe nga të cilët marrim besimin”, ka thënë ai.

Përndryshe, derisa deputetë të opozitës e kanë kritikuar ministrin Vitia, Manxhuka ka pasur kritika për partitë opozitare.

“Partitë̈ opozitare nuk  janë̈ të shqetësuara me atë që do të duhej të shqetësoheshin vërtetë. Këta nuk shqetësohen për administruesit dhe ministrat e papërgjegjshëm që për 20 vite me radhë e kanë vjedhur, e kanë shkatërruar dhe e kanë lënë në gjendje të mjerueshme shëndetësinë. Meqenëse nuk e kanë të sinqertë shqetësimin atëherë atë e ndërrojnë brenda pak ditësh: fillimisht thoni se nuk po sigurohen vaksinat, ata që vetë për 10 muaj nuk siguruan asnjë. Kur u siguruan miliona vaksina, thanë se dështoi vaksinimi masiv. Tash kur po jepen në ditë mbi 21 mijë vaksina thonë po i ikni përgjegjësisë”, ka thënë ai.

Derisa numri i rasteve të reja të infektuara me COVID-19 po rritet çdo ditë e më shumë, bashkë me të edhe numri i pacientëve të hospitalizuar, infektologë në vend shprehen të shqetësuar për situatën e krijuar.

Infektologu, Hamdi Ramadani ka shprehur shqetësimin për mosvaksinimin e një numri më të madh të qytetarëve.

Ai ka thënë se varianti Delta i COVID-19 po shkakton probleme në gjithë botën, edhe në shtetet që kanë vaksinuar vetëm një numër të vogël të popullsisë, e problem mund t’i bëj edhe Kosovës.

Ramadani ka thënë se me largimin e Vitisë nga Ministria e Shëndetësisë, Këshilli për Luftimin e Pandemisë COVID-19 dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik duhet të merren me situatën e krijuar.

“Nëse ndodh një lëvizje e një ministri në një vend tjetër, është Këshilli për Luftimin e Pandemisë së bashku me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik. Ata janë personat që kanë përgjegjësi profesionale edhe për luftimin edhe ndaljen e pandemisë dhe për të gjitha. Ministri edhe IKSHPK kanë bërë gabime, kanë bërë pak punë sa është dashur të bëjnë sepse është dashur të ndalet hovi dje vaksinimin nuk e kemi të mirë”, ka theksuar ai.

Tutje Ramadani ka thënë se varianti Delta është virus i rëndë, andaj edhe ka kërkuar nga qytetarët që të vaksinohen e të mbrohen nga ai.

Kujtojmë që 12 mijë e 159 raste me COVID-19 janë aktive në Kosovë.

Derisa, vetëm sot në klinikat COVID dhe spitalet e përgjithshme kanë qenë të shtrirë 575 pacientë, 29 prej të cilëve në gjendje të rëndë shëndetësore.

(Kosova Sot Online)