Rrëfimi i Kaqusha Jasharit: Më thirri Komiteti, ma përjashtuan shokun nga shkolla për flamurin kuq e zi

  • A.P /
  • 24 August 2021 - 22:41
Rrëfimi i Kaqusha Jasharit: Më thirri Komiteti, ma përjashtuan shokun nga shkolla për flamurin kuq e zi

Një prej funksionareve të hershme të ish-krahinës socialiste autonomie të Kosovës, Kaqusha Jashari, ka folur për jetën e saj dhe ngjitjen në hierarkinë e pushtetit jugosllav.

 

Jashari ka folur edhe për një rast që i kishte ndodhur në vitin e tretë të shkollës së mesme.

Ajo ka treguar, se si Kryetare e Rinisë, ishte ftuar nga Komiteti i Rinisië për të marrë pjesë në një mbledhje ku do të diskutohej çështja e disa nxënësve që ishin kapur duke kryer veprimtari armiqësore.

“Unë i kam pasur do periudha shumë të vështira në shkollë si Kryetare e Rinisë. Kur kam qenë në klasën e tretë, më kanë thirrë në Komitetin e Rinisë, njëfarë Sekuliqi, më kujtohet, se janë zënë disa nxënës  me veprime armiqësore”, ka rrëfyer Jashari.

Jashari ka  treguar se është befasuar kur ka marrë vesh se ai ishte shoku i saj i ngushtë, Shemsi Rudari.  Ajo ka thënë se e kishte kundërshtuar akuzën ndaj Rudarit dhe se kjo gjë i kishte kushtuar.

“Kur kanë thënë kush është në pyetje, ai ka qenë një shok i imi më i ngushtë, Shemsi Rudari. Unë e kam kundërshtu aty në mbledhje, nuk vjen në konsideratë thashë. Ai ka qenë prezent aty por nuk ka folë. Unë e kam mbrojtë, dhe ajo më kushtoi sepse në partinë Komuniste i pranuan katër veta e mua s’më pranuan”, ka rrëfyer Jashari.

Për këtë veprim, Rudari ishte përjashtuar nga shkolla dhe akuzohej se ka vendosur një flamur kuq e zi mbi një xhami në Podujevë.

“Shemsiu u përjashtua nga shkolla dhe akuzohej se e ka vendosë një flamur kuq e zi mbi një xhami në Podujevë”, ka thënë ajo.

(Kosova Sot Online)