Rrëfimi i dhimbshëm i kosovares që u rrah me vite të tëra nga burri: Unë dhe fëmijët pamë tmerrin me sy

  • E.K /
  • 25 August 2021 - 10:48
Rrëfimi i dhimbshëm i kosovares që u rrah me vite të tëra nga burri: Unë dhe fëmijët pamë tmerrin me sy

Një e mbijetuar e dhunës në familje ka rrëfyer përjetimet e saj të dhunës për 16 vjet me radhë që tha se i kishte shkaktuar ish bashkëshorti.

Ajo u shpreh se gjithë këtë kohë e kishte duruar për shkak të kushteve ekonomike dhe se nuk kishte përkrahje nga familja e sa.

“Afro 16 vjet me radhë e kam përjetuar dhunën fizike dhe psikike. Pas lindjes së fëmijës së dytë, ish burri ka filluar me e përdorë alkoolin. Kemi tentuar edhe që ta mjekojmë, por me kohën u bë kronik dhe ardhjet e vona pas mesnatës në shtëpi dhe filloi të bëhet agresiv ndaj meje dhe fëmijëve. Ushtronte dhunë deri sa më përgjakte”.

“Më janë dhimbsur fëmijët, por nga ndarja më ndalte edhe primitivizmi dhe familja, kisha frikë t’i tregoja që kam dhunë të madhe. Shpesh kam shkuar edhe me shenja në familje, aty e para me ka vërejtur nëna”.

“Një kohë jam ndarë me të, por mbas tre vjetëve vajza më ra në depresion dhe më është lutur që të bëhemi bashkë familja, dhe për hatër të saj jemi pajtuar. Por pas dy muajsh ai filloi ta përsëriste dhunën”.

“E la punën dhe filloi të bënte kërkesa, për shkak të alkoolit më kërkonte para. Filloi të ushtronte dhunë edhe në fëmijë. Fëmijëve ua kontrollonte çantat dhe i merrte paratë e bukës”.

“Familja nuk më ka pranuar, më kanë thënë ‘bëj zgjidhje se nuk mund t’i durojmë fëmijët e alkooliqarit’. Nuk më kanë përkrahur as moralisht e as me financa’”.

“Kur e kam paraqitur rastin në polici, ish burrin e kanë mbajtur në paraburgim për 48 orë dhe më pas e kanë liruar. Tani është i liruar me kusht për një vit”, deklaroi e mbijetuara e dhunës familjare.

(Kosova Sot Online)