Masakrim me sopatë, goditje me shufër metalike e breshëri plumbash: Vrasjet e rënda të femrave në Kosovë

  • E.K /
  • 25 August 2021 - 10:44
Masakrim me sopatë, goditje me shufër metalike e breshëri plumbash: Vrasjet e rënda të femrave në Kosovë

18-vjeçarja, Marigona Osmani nga Ferizaj, të dielën e 22 gushtit 2021, u dërgua pa shenja jete në emërgjencë nga bashkëshorti i saj, Dardan Krivaqa dhe nga Arbër Sejdiu.

Dradan Krivaqa (29 vjeçar) dyshohet se vrau bashkëshorten e tij, ndërsa Arbër Sejdiu (32 vjeçar) dyshohet se e kishte fshehur krimin e Dardanin.

Ky rast shënon vetëm një nga vrasjet e rënda të femrave në Kosovë, pasi ndër vite në vendin tonë kanë ndodhur disa vrasje të femrave, kryesisht nga bashkëshortët e tyre.

Diana Kastrati u vra në vitin 2011, po ashtu nga bashkëshorti i saj, Adnan Jashari. Ai e kishte vrarë Dianën vetëm disa metra larg shtëpisë, në orët e mesditës.

Vrasja e Dianës kishte ardhur pasi kërkesa e saj për mbrojtje urgjente ndaj dhunës në familje nuk u pranua nga Gjykata e Prishtinës.

E, derisa kanë kaluar 10 vjet nga vrasja e Dianës, bashkëshorti i saj i dyshuar për këtë vrasje, gjendet ende në arrati.

Zejnepe Berisha vdiq më 23 tetor 2015 si pasojë e plagëve të marra nga burri i saj Nebihu.

Bashkëshorti Nebihu, në prezencën edhe të të miturës e kishte privouar nga jeta, Zejnepen duke e goditur 20 (njëzetë) herë radhazi, në të gjitha pjesët e trupit, me këmbëngulësi dhe në mënyrë brutale.

Për këtë rast, gjykata kishte vendosur që vrasësi, të dënohet me 12 vjet burgim, por pas presionit dhe analizimit të rrethanave dhe mënyrës së vrasjes ky dënim ishte rritur në 17 vjet burgim.

Në vitin 2015 kishte ndodhur edhe një nga vrasjet më të rënda, që tronditi Kosovën. 24 vjeçarja, Donjeta Pajazitaj, nga Strellci i Deçanit, u vra nga kushëriri i tij Naser Pajazitaj.
9 nëntor të vitit 2015, Donjeta ishte zhdukur, për tu gjetur e vrarë pas 6 javësh në malet e fshatit. Pas shumë skenareve të ngritura e dyshimeve rreth këtij rasti, rezultoi se

Donjetës jetën ia kishte marrë kushëriri i tij, Naser Pajazitaj, i cili gjatë kohës që Donjeta rezultoi e zhdukur kishte qëndruar afër familjes së viktimës.

E, pothuajse 6 vjet pas rastit, gjykata dha verdiktin final në lidhje me këtë vrasje, duke e dënuar Naser Pajazitajn me burgim të përjetshëm.

Derisa Zejnepe Berisha në vitin 2015 ishte vrarë në parni të vajzës, Valbona Ndrecaj (34 vjeçare) u vra së bashku me vajzën e saj 9-vjeçare, nga bashkëshorti i saj Pjetër Ndrecaj, në gushtin e vitit 2018.

Aktakuza shpjegonte se Valbona ishte goditur në gjoks dhe kokë ndërsa vajza prapa veshit. Prokuroria shpjegonte qartë konfliktin e çiftit dhe funksionimin e dy sistemeve për zgjidhjen e problemeve , ligjit të shtetit dhe atij të kanunit. Disa javë para vrasjes, Pjetri ishte arrestuar nga Policia, i dyshuar për sulm ndaj gruas së tij. Ai ishte paraburgosur për 30 ditë, ndërsa pas lirimit kishte nisur zgjidhjen e problemit të tij në baza kanunore.Në kohën kur Prokuroria e Gjakovës po merrej me hetimin e rrahjes së Valbonës, Pjetri kishte mbledhur burrat dhe sipas asaj që quhet zakon kishte shkuar në familjen e Valbonës, për të tentuar pajtimin me të. Aty, siç shkruhet në aktakuzë ishin pritur nga familja me kafe e raki.

Në vitin 2018 kishte ndodhur edhe një vrasje e rëndë e një femre. Sevdije Berisha e gjeti vdekjen pasi nga burri i saj, Isen Berisha, e kishte goditur disa herë me sopatë në kokë dhe pjesë të tjera të trupit. E gjithë kjo kishte ndodhur derisa ajo ishte në gjumë.

Përveç vrasjes së gruas, Isen Berisha kishte plagosur edhe renë e tij shtatzëne Arlindën e cila ka tentuar ta parandalojë dhunën. Ajo ishte goditur në kokë dhe në krahun e majtë me sopatë.

Një vrasje tjetër që tronditi Kosovën është ajo e Armenda Aliut, gjithashtu nga bashkëshorti i saj, në gusht të vitin 2019.

Çifti kishte pak ditë që kishin ardhur për pushime nga Zvicra në Kosovë. Problemet e çiftit kishin bërë që që 61-vjeçari, të ia marrë jetën me armë zjarri gruas së tij, 42-vjeçare, vetëm pak metra larg shtëpisë së tyre, në lagjen “Hysni Morina” të Prizrenit.

Policia kishte gjetur 15 gëzhoja plumbash në vendin e ngjarjes, të cilat u shkrepën nga revolja me të cilën dyshohet të ketë ndodhur e gjithë ngjarja e rëndë.

Nga plagët e rënda të shkaktuar nga goditjet me shufër metalike, vdekjen e kishte gjetur edhe Sabile Mavrovqani nga Kamenica.

Ajo ishte vrarë nga bashkëshorti i saj Nuhiu, në korrik të vitit 2020. Sipas aktakuzës, për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme familjare, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën, ashtu që pas fjalosjes, i njëjti me mjet të përshtatshëm – shufër metalike, e ka goditur në dorën e majtë dhe në kokë, e cila pasi është rrëzuar në dysheme, përsëri ka vazhduar ta godasë disa herë në kokë dhe pjesë tjera të trupit, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

(Kosova Sot Online)