A ia ndali a ia shtoi turrin Kosova variantit Delta?

  • A.P /
  • 25 August 2021 - 17:21
A ia ndali a ia shtoi turrin Kosova variantit Delta?

Në kohën kur në Kosovë u raportuan mbi 1 mijë e 600 raste të reja të infektuara me COVID-19 dhe 11 viktima, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik doli me njoftim se ia kanë ndalur turrin variantit Delta të COVID-19.

“Delta variantit ia kemi ndalë turrin edhe pse akoma po raportohen shumë raste pozitive dhe shumë vdekje duke shprehur ngushëllime për të gjithë familjarët! Virusi bartet shumë shpejt prej një personi në dhjetëra persona tjerë me pasoja që në të shumtën e rasteve mund të jenë fatale e që fatkeqësisht preken edhe fëmijët”, ishte thënë nga IKSHPK më 22 gusht të këtij viti.

Mirëpo, që nga ajo ditë kur edhe IKSHPK ka dal me njoftim, shifrat e rasteve të reja të infektuara e po ashtu edhe e viktimave u rritën edhe më shumë.

Vetëm sot u regjistruan 2 mijë e 541 raste të reja me COVID-19, rekord i ri në vend, e po ashtu edhe 14 viktima.

Numri i viktimave nga koronavirusi në vend ka shkuar në 2 mijë e 370, ndërsa ai i rasteve aktive në  23 mijë e 845.

Analistë e deputetë të opozitës kanë kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë për rritjen e rasteve të reja të infektuara me virus.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj ka thënë se virusi COVID-19 me turr po na ndan nga jeta familjarët tanë, ndërsa  sipas tij, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia me turr po vrapon me marr Prishtinën.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook ai ka thënë se Vitia po vrapon me turr për Prishtinën në mënyrë që partia e tij të udhëheq edhe katër vite tjera.

Ndërsa, analisti, Albert Krasniqi ka thënë se Kosova është vendi i dytë në botë me më së shumti raste të reja me COVID-19 në 100 mijë banorë.

Ai ka thënë po ashtu se vendi është në mesin e 5 vendeve me rrezikshmërinë më të lartë për të udhëtuar.

Kujtojmë që më 26 korrik Kosova kishte regjistruar vetëm 14 raste të reja të infektuara me COVID-19 dhe asnjë viktimë. Para kësaj date, numri i rasteve të reja ishte edhe më i ulët.

Më 27 korrik ishte trefishuar numri i rasteve të reja, krahasuar me një ditë më parë.

Në këtë ditë Kosova kishte regjistruar 42 raste të reja të infektuara dhe asnjë viktimë.

Ndërsa, më 28 korrik Kosova ka regjistruar 58 raste të reja të infektuara.

Rritja më e shpejtë e rasteve të reja të infektuara ka filluar nga 10 gushti, kur Kosova ka regjistruar 562 raste të reja të infektuara.

Ndërsa, më 12 gusht Kosova theu rekordin e muajit prill të këtij viti për numrin më të madh të rasteve të infektuara, gjithsej u regjistruan 1 mijë e 9 raste dhe 2 viktima.

Nga 12 gushti e deri më tani numri i rasteve të reja të infektuara ishte shumë më i lartë krahasuar me periudhën para këtij muaji.

Më 18 gusht Kosova regjistroi 2 mijë e 110 raste të reja të infektuara me virus dhe 4 viktima.

Ndërsa, rekordi i rasteve të reja të infektuara u thye prapë sot, kur Kosova regjistroi 2 mijë e 541 raste të reja të infektuara.


(Kosova Sot Online)