Prokuroria e Ferizaj i reagon Ministrit Sveçla: Deklaratat kanë për qëllim dezinformimin për përfitime politike

  • A.P /
  • 26 August 2021 - 15:47
Prokuroria e Ferizaj i reagon Ministrit Sveçla: Deklaratat kanë për qëllim dezinformimin për përfitime politike

Prokuroria Themelore e Ferizajt ka reaguar ndaj deklaratave të Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të publikuara në media, me titull “Sveçla: Prokuroria dhe gjykatat u treguan të papërgjegjshme, policia e arrestoi 135 herë”, duke aluduar në Dardan Krivaqën, i dyshuari kryesor për vrasjen e 18-vjeçares, M.O. 

Sipas Prokurorisë së Ferizajt, deklaratat e tilla janë të paqëndrueshme, shfaqin mosnjohuri elementare profesionale, janë krejtësisht tendencioze dhe kanë për qëllim dezinformimin dhe manipulimin e opinionit për përfitime politike.

“Për dijeninë e Ministrit të Punëve të Brendshme, Prokuroria është organ kushtetues ndjekës dhe kompetencat e ndara duhet t’i dallojë dhe aq më shumë edhe t’i kuptojë. Po ashtu ia bëjmë me dije se Prokuroria Themelore në Ferizaj çdo herë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj të pandehurit D.K dhe se në të gjitha rastet ndaj tij ka ngritur aktakuza dhe të njëjtat i ka proceduar në Gjykatën Themelore në Ferizaj. Andaj, ju bëjmë thirrje bartësve të institucioneve ekzekutive që të përmbahen nga çfarëdolloj deklarimi i pamatur, i pakonfirmuar dhe tendencioz, sepse kjo qasje nuk iu shërben as atyre dhe as të vërtetës faktike”, thuhet në fund të reagimit.

(Kosova Sot Online)