Agjencia sllovene e lajmeve rrezikon të mbyllet sepse kryeministri është i pakënaqur me përmbajtjen

  • A.P /
  • 31 August 2021 - 17:38
Agjencia sllovene e lajmeve rrezikon të mbyllet sepse kryeministri është i pakënaqur me përmbajtjen

Gazetarët e Agjencisë Sllovene të Lajmeve (STA) paralajmëruan të martën se janë të rrezikuar nga mbyllja sepse qeveria, e pakënaqur me politikën editoriale, nuk dëshiron të paguajë për shërbimet e ofruara për më shumë se 200 ditë.

Në një apel drejtuar politikanëve vendas dhe institucioneve evropiane, gazetarët thonë se agjencia ka para për ta paguar vetëm një pagë.

“Qysh në fillim të tetorit, ne mund të gjendemi në një gjendje jolikuiditeti”, shkruan ata në një deklaratë dërguar parlamentit, qeverisë dhe presidentit, duke u kërkuar atyre që “më në fund të bëjnë diçka”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, u informuan gjithashtu për situatën në agjenci.

Udhëheqja e STA dhe gazetarët kanë qenë në mosmarrëveshje të vazhdueshme për disa muaj me qeverinë e kryeministrit Janez Jansha, e cila refuzon t’ua paguajë atyre dy milionë euro ose gjysmën e buxhetit vjetor për shërbimin e informacionit publik.

Ndërkohë, ata mblodhën para përmes donacioneve dhe bënë punën e tyre siç duhet, edhe pse për shkak të së ardhmes së pasigurt, rreth 15 persona u larguan këtë vit nga puna.

Sipas ligjit për këtë agjenci, qeveria deri më tani ka paguar para në këste të rregullta mujore, të cilat pushuan në fillim të këtij viti.

Jansha ka akuzuar vazhdimisht agjencinë kombëtare për pretendimin e përhapjes së “lajmeve të rreme” dhe e quajti punën e tyre “të turpshme”, duke u kërkuar një ndryshim të lidershipit përmes zyrës së tij të informacionit.

(Kosova Sot Online)