Këto janë pronat dhe milionat për të cilat qeveria dyshon se ka pasur keqpërdorime të tmerrshme

  • G.G /
  • 01 September 2021 - 10:37
Këto janë pronat dhe milionat për të cilat qeveria dyshon se ka pasur keqpërdorime të tmerrshme

Ministri Financave Hekuran Murati përmes një konference për media ka njoftuar sot gjatë ditës se kanë gjetur që rreth 12 milionë euro më shumë janë propozuar të paguhen për shpronësimin e pronave për ndërtimin e rrugës “Prishtinë – Pejë”.

Sipas një dokumenti të cilin e ka prezantuar sot ministri Hekuran Murati, pretendohet se vlera fillestare që ishte propozuar nga departamenti i tatimit në pronë, që punon në kuadër të Ministrisë së Financave kap vlerën e pak mbi 31 milionë euro.

Mirëpo sipas këtij dokumenti, në dhjetor të atij viti ishin ndarë 43 milionë euro apo 12 milionë euro më shumë nga ana e Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e tokave për këtë autostradë.

Ministri Murati deklaroi sot gjatë ditës se deri më tani nuk është kryer asnjë pagesë.

Në dokumentin që e ka nxjerrë sot Ministria e Financave, nga 16 zona kadastrale sa i ka kapur shpronësimi, në gjysmën prej tyre ka pasur ndryshim të vlerës së tokës, që në fund kap shifrën e 12.4 milionë eurove më shumë.

Në fshatin Drenoc, sipas MF-së kanë qenë 122 prona që janë vlerësuar nga Departamentit të Tatimit në Pronë 6 milionë e 146 mijë euro. Mirëpo me vendimin e Qeverisë Haradinaj, sipas dokumentit të prezantuar sot, këto toka janë shpronësuar me 11 milionë euro, apo mbi 5 milionë euro më shumë.

Në pronat e fshatit Gllarevë, vlerësimi që departamenti i tatimit në pronë e kishte dhënë fillimisht ka qenë 5.8 milionë euro, ndërsa shpronësimi në fund ka shkuar në 7 milionë euro apo 1.1 milionë euro më shumë, sipas të dhënave që i ka prezantuar sot ministri Hekuran Murati.

Në fshatin Potërq i Poshtëm, sipas këtij dokumenti janë shpronësuar 17 prona. Ministria e Financave fillimisht i kishte vlerësuar ato prona 2.3 milionë euro, por në fund sipas Muratit ishin shpronësuar me vlerë 4.9 milionë euro apo rreth 2.6 milionë euro më shtrenjtë.

“Në tabelën e vlerësimit, vlera e tërësishme e shpronësimit ka qenë 31 milion euro, kurse më tutje vendimi është proceduar në kohën kur qeveria ishte në detyrë. Mirëpo problemi është tek vlera e përgjithshme e pronave që miratohen me këtë vendim të Qeverisë, vlera kap shifrën 43 milion euro”, ka thënë Ministri.

Tutje, Ministri ka bërë të ditur se këtë gjetje të Zyrës Kombëtare të Auditimit do e dërgojnë në Prokurori.

(Kosova Sot Online)