Reagime të shumta: Ish-dhunuesi e simulon me kukull në emision dhunimin e grave

  • E.K /
  • 01 September 2021 - 10:59
 Reagime të shumta: Ish-dhunuesi e simulon me kukull në emision dhunimin e grave

Një kanal televiziv në Bregun e Fildishtë ka kërkuar falje për transmetimin e një emisioni në të cilin një mysafir mashkull, i prezantuar si ish-dhunues, tregoi përmes një kukulle se si i kishte sulmuar viktimat e tij.

Programi i transmetuar në kohën kur ka më së shumti shikueshmëri nga televizioni privat, NCI, nxiti reagime masive dhe bëri që 37.500 persona të nënshkruajnë një peticion për ndëshkimin e autorëve të emisionit.

Këshilli i Pavarur i Komunikimeve i Bregut të Fildishtë më vonë njoftoi për pezullimin nga puna të prezantuesit të popullarizuar, Yves de Mbella, duke thënë se emisioni paraqet sulm ndaj dinjitetit të grave, shkruan The Guardian.

“Më vjen sinqerisht keq që kam tmerruar secilin përderisa mundohesha që ta rris vetëdijen. Bëra një gabim”, shkroi Mbella në llogarinë e tij në Facebook.

“Më vjen gjithashtu keq për gjithçka që është thënë apo që është bërë gjatë sekuencës së programit dje që ka lënduar. Kërkoj falje nga të gjitha viktimat e dhunimit”, shkroi ai më tej.

Televizioni ku u shfaq emisioni kërkoi falje për transmetimin e tij dhe e anuloi episodin e fundit të emisionit, i cili ishte planifikuar për të premten.

(Kosova Sot Online)