Ramush Haradinaj i përgjigjet kërkesës së Lumir Abdixhikut për shkurtimin e fushatës zgjedhore

  • E.K /
  • 02 September 2021 - 11:55
 Ramush Haradinaj i përgjigjet kërkesës së Lumir Abdixhikut për shkurtimin e fushatës zgjedhore

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku për ta shkurtuar fushatën për zgjedhjet lokale. Por, Haradinaj ka kërkuar që fushata zgjedhore të shkurtohet në 5 ditë, e jo 10 siç propozoi Abdixhiku.

Ish-kryeministri shkroi në Facebook se shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha.

“Të nderuar qytetarë, Kam pranuar një letër nga kryetari i LDK-së z. Abdixhiku ku ai kërkon shkurtimin e fushatës zgjedhore nga 30 në 10 ditë. Qëndrimi i AAK-së, duke marrë parasysh gjendjen e rëndë me pandeminë, është që fushata të shkurtohet në vetëm 5 ditë e jo në 10. Shëndeti i qytetarëve mbi të gjitha!”, ka shkruar Haradinaj.

Duke parë situatën e rëndë në vend, numrin e madh të vdekjeve dhe infektimeve me koronavirus, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku u ka bërë ftesë publike liderëve të partive, t’i kapërcejnë dallimet e ta ndërtojnë një pakt zgjedhor, duke shkurtuar fushatën zgjedhore nga 30 ditë në 10 ditë.

Këtë kërkesë, Abdixhiku e ka dërguar edhe te kryetari i LVV-së dhe kryeministri Albin Kurti, si dhe te kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

(Kosova Sot Online)