Asamblistët e Komunës së Prishtinës nokautojnë Shpend Ahmetin, refuzuan skenarin e kontrabandimit të PZHK në shërbim të mafies së “nëntokës kriminale” të ndërtimit!

Asamblistët e Komunës së Prishtinës  nokautojnë Shpend Ahmetin, refuzuan skenarin e kontrabandimit të PZHK në shërbim të mafies së “nëntokës kriminale” të ndërtimit!

Gani Qarri

  • 02 September 2021 - 07:46

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Këto ditë Asambleja Komunale e Prishtinës, duke u bazuar në kundërshtimin gjithqytetar dhe konstatimin e qëllimit djallëzor të kryetarit Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiut, i tha me vendosmëri një ‘Jo’ të madhe, Planit Zhvillimor Komunal (PZHK), që të kalojë në shqyrtim publik, pa transparencë dhe pa pjesëmarrjen e kontribitin e qytetarëve, në mbledhjen e fundit të Asamblesë Komunale. Ndaj ky është edhe një grusht i rëndë për planifikimin e egër kriminal të Shpend Ahmetit dhe Dardan Sejdiut me mafien e ndërtimeve.

Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu tentuan që në fazën tranzicioinale të përfundimit të mandatit të tyre, ta krijojnë serish bazën ligjore të legjitimimit dhe legalizimit të mega projekteve ndërtimore për pastrimin e parasë së pistë në Prishtinë dhe jo vetëm. Për aq më tepër, dokumenti i cili po tentohej të katapultohej në këtë mënyrë mafioze e gjysmë-ilegale, ishte njëri prej dy dokumenteve më të rëndësishmë për Prishtinën, ndaj dhe qeverisja e inkriminuar aktuale po dëshironte që Planin Zhvillimor Komunal, si dokument pararendës i Hartës Zonale, ta kalontë pa diskutime të gjera e të mirë organizuara publike, pa pjesëmarrje të qytetarëve dhe pa asnjë lloj transparence.

Vet ky fakt impulsiv tregon më së miri, se përpos betonimit të skajshëm të qytetit, nga udhëheqja komunale u tentua të betonizohet edhe mentalitet 20-vjeçar i qeverisjes së korruptuar e kriminale në Prishtinë, ku qytetarët dhe nevojat e tyre nuk ishin fare në interes të zgjidhjes dhe diskutimit, por në qendër të interesit janë kthyer tokat, lejet e ndërtimit, ndërtuesit e egër, grupet e interesit dhe pazaret për koeficientë pronash e lejesh ndërtimore për pastrimin e parasë së pistë, në kryeqytet e më gjerë. Prandaj duke i thirrur zërit të arsyes dhe pozicionuar në interesin publik e kundër planit kriminal të lidhjes së Shpend Ahmetit me mafien e ndërtimeve, 23 asamblistë komunal, kanë votuar publikisht kundër PZHK-së, 6 pro dhe 3 të tjerë kanë abstenuar. Siç dihet PZHK, është një dokument që hartohet nga Komuna, në bashkëpunim me qytetarët dhe përcakton zhvillimin urban e rural të qytetit, për 8 vitet e ardhshme, por duke pasur parasysh të metat e theksuara brenda tij, kundër planit në fjalë, ka avokuar edhe Organizata "Qytetarët Aktivë" e cila e ka cilësuar mos votimin e PZHK-s si fitore të madhe që u takon vet qytetarëve të Prishtinës.

Madje, falë angazhimit të pareshtur të po kësaj organizate, për mese rreth 10 muaj me radhë, është konsideruar se gjatë hartimit të PZHK-së, ka pasur shkelje të rënda ligjore, nga ana e komunës, ndaj dhe asamblistët me të drejtë janë shprehur se Qeverisja aktuale e Prishtinës po dëshiron që Planin Zhvillimor Komunal, si dokument pararendës i Hartës Zonale, ta katapultojë̈ pa diskutime të gjera e të mirë organizuara publike, pa pjesëmarrje të qytetarëve si dhe pa asnjë transparencë, në mënyrë që me çdo kusht, ai plan të gjente miratimin, qoftë edhe në mënyrë të tillë mafioze të veprimit. Kështu që ky është edhe një rast i mirë, për ta zgjuar Prokurorinë speciale nga gjumi i gjatë dhe përfundimisht e pa vonesa të mëtejme, të fillojë hetimin e Shpend Ahmetit për lidhjet e tij me krimin e organizuar, pasi që vet vota kundër PZHK-së, në asamblenë komunale, flet më tepër se mjaftueshëm për konstatimin e abuzimit të tij me ligjin.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".