Në Korenë Veriore, të uriturit po rrëmbejnë fëmijë të familjeve të pasura për ta siguruar ushqimin

  • G.G /
  • 02 September 2021 - 13:35
Në Korenë Veriore, të uriturit po rrëmbejnë fëmijë të familjeve të pasura për ta siguruar ushqimin

Banorët e uritur të Koresë Veriore po rrëmbejnë fëmijë të familjeve të pasura dhe po kërkojnë haraç për ta siguruar ushqimin.

Së paku katër raste të rrëmbimit të fëmijëve janë raportuar në javët e fundit në shtetin e izoluar nga bota, që po përballet me vështirësi nën sanksionet ndërkombëtare kundër pushtetit të Kim Jong-unit.

Mungesa e ushqimit, ilaçeve, karburanteve dhe prodhimeve të tjera të përditshme është përkeqësuar që nga janari i vitit 2020, kur Koreja Veriore i mbylli plotësisht kufijtë në përpjekje për ta parandaluar hyrjen e koronavirusit.

Vetë lideri i shtetit komunist ka lënë të kuptohet se vendi i tij mund të jetë buzë katastrofës, duke e krahasuar gjendjen e tanishme me urinë shkatërruese të viteve të nëntëdhjeta, shkruan Daily Mail.

Kohëve të fundit ka pasur edhe raportime për vdekje nga uria në pjesë të skajshme të vendit, pasi industria dhe bujqësia po përballen me vështirësi për shkak të mungesës së karburanteve.

Muajin e kaluar, një vajzë 6 vjeçe u zhduk përderisa po luante afër një lumi afër shtëpisë së vet në distriktin Songchon, në veri të kryeqytetit Pjongiang, raportoi Radio Azia e Lirë.

“Ajo u rrëmbye dhe u mor peng nga një burrë në të tridhjetat që jetonte në një fshat të largët”, i tha një burim në Korenë Veriore këtij mediumi.

“Rrëmbyesi e dinte se familja e vajzës ishte e pasur dhe madje e kishte siguruar numrin e telefonit të prindërve të saj para se ta rrëmbente për të kërkuar para haraç”, tha burimi.

Sidoqoftë, policia arriti që ta gjente vendndodhjen e telefonit që u përdor nga burri dhe e arrestoi atë. Fëmija iu kthye prindërve, ndërsa rrëmbyesi është duke e pritur gjykimin.

(Kosova Sot Online)