Iu lakua emri si propozim për ambasador, lajmërohet boksieri Luan Krasniqi

  • A.P /
  • 03 September 2021 - 22:30
Iu lakua emri si propozim për ambasador, lajmërohet boksieri Luan Krasniqi

Luan Krasniqi nuk do të jetë ambasador i Kosovës në Gjermani. Kështu thotë vetë ish-boksieri nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e Facebook.

Lajmeve se mund të emërohet ambasador i Kosovës në Gjermani u është përgjigjur Luan Krasniqi, ish-kampioni i Europës në boks. Ai thotë se do të vazhdojë të jetë ‘ambasador sportiv” dhe se nuk ka qëllime të tjera.

“Luani, mbetet sportist dhe mik i juaji i mirë. Ambasadorit të ri të Kosovës në Gjermani, që tash i uroj sukses, kurse Juve, miq të mi, Ju paça të gjithëve me shëndet!”, shrkoi ai në Facebook.

“Përkundër faktit se detyrën e ambasadorit e çmoj dhe e vlerësoj si tejet të rëndësishme, veçmas të ambasadorit në Gjermaninë mike të Kosovës dhe me vlera të larta demokratike, propozimi  i dhënë nuk përkon me interesimin tim dhe kjo duhet të konsiderohet si inisiativë individuale për të cilën nuk kam qenë fare në dieni. Unë, mbetem i përkushtuar në vendosjen e urave të reja të miqësisë së Kosovës dhe Gjermanisë duke ndihmuar e mbështetur nisma dhe angazhime për të mirën dhe të mbarën e njerëzve, dhe nuk pretendoj asnjë funksion, detyrë apo emërtim, si ky që është dhënë”, shtoi ai.

Shkrimi i plotë i Krasniqit në Facebook:

Miq të mi të respektuar,

sot, në shumë portale dhe në disa media elektronike, qenka publikuar një propozim që unë të emërohem ambasador i Republikës së Kosovës në Gjermani. Ju informoj se, unë, tashmë 35 vite, e mbaj me krenari epitetin e ambasadorit sportiv të dhuruar nga aderuesit sportiv dhe me krenari, vendin tim e kam përfaqësuar në sportin e boksit, me të cilin kam përjetuar kënaqësinë duke u ngjitur në piedestalin më të lart të karrierës sportive.

Prandaj, përkundër faktit se detyrën e ambasadorit e çmoj dhe e vlerësoj si tejet të rëndësishme, veçmas të ambasadorit në Gjermaninë mike të Kosovës dhe me vlera të larta demokratike, propozimi  i dhënë nuk përkon me interesimin tim dhe kjo duhet të konsiderohet si inisiativë individuale për të cilën nuk kam qenë fare në dieni. Unë, mbetem i përkushtuar në vendosjen e urave të reja të miqësisë së Kosovës dhe Gjermanisë duke ndihmuar e mbështetur nisma dhe angazhime për të mirën dhe të mbarën e njerëzve, dhe nuk pretendoj asnjë funksion, detyrë apo emërtim, si ky që është dhënë.

Luani, mbetet sportist dhe mik i juaji i mirë.

Ambasadorit të ri të Kosovës në Gjermani, që tash i uroj sukses, kurse Juve, miq të mi, Ju paça të gjithëve me shëndet!

03.09.2021,

I juaji, Luani

(Kosova Sot Online)