“Po e shtyjmë me mish e me shpirt”, ankohen pronarët e lokaleve që u mbyllen në Prishtinë

  • E.K /
  • 04 September 2021 - 12:19
 “Po e shtyjmë me mish e me shpirt”, ankohen pronarët e lokaleve që u mbyllen në Prishtinë

Inspektorati i Komunës së Prishtinës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë mbyllur 20 lokale të gastronomisë në kryeqytet. Lajmi për mbylljen është konfirmuar nga Shoqata e Gastronomëve. Derisa pronarët e lokaleve të mbyllura ankohen se janë mbyllur pa arsye.

Veton Zuka, kryetar i shoqatës së gastronomëve ka thënë për Kallxo.com se gjitha këto lokale janë mbyllur me arsyetimin se nuk i kanë respektuar masat e hyra në fuqi për parandalim të pandemisë COVID-19.

Zuka ka thënë se të gjitha lokalet e mbyllura nga inspektorët i kanë pasur xhamat e hapur, që sipas tij, e kanë respektuar masat e qeverisë.

“Prej të hënës të njëjtin konstruksion e kanë pas. Edhe të hënën edhe të martën edhe të mërkurën. Edhe të mërkurën i kanë pas të njëjtët inspektorë, vendi ka qenë i njëjtë, kanë qenë të hapur edhe çadrat, por të enjten e paska vendos që kishe nuk bënë ashtu, ditëve tjera ka mujtë me pas gjoba nëse nuk i kanë respektu orarin ose eventualisht distancën mirëpo jo mbyllje”, ka thënë ai.

Media ka kontaktuar disa prej pronarëve të lokaleve të gastronomisë për t’i pyetur rreth arsyeve të mbylljes dhe nëse janë ndihmuar nga shteti përgjatë periudhës së pandemisë.

Samed Potera i cili është pronar i “Marocco Bar” ka treguar se lokali i është mbyllur deri më 13 shtator dhe se është dënuar me 2000 euro.

Ai thotë se deri tani ndihmat e vetme që ka përfituar nga shtetit ka qenë një herë një gjysmë qeraje, dhe se punëtorëve të tij për 2 muaj ua kanë paguar nga 170 euro, në kohën e mbylljes së plotë.

“Asnjë ndihmë. Punëtorët i kanë marrë atëherë në fillim nja dy muj ditë, jau kanë qit punëtorëve ka 170 euro, mue si biznis niher mi kanë qit 50 % të qirasë, tjetër asnjë ndihmë tjetër kurgjo. Arsyeja që na kanë mbyll është që janë ardhë tre policë të njësisë speciale me dy inspektorë, kanë qenë katër tavolina brenda në terasë, dhe ka qenë hapësira e qelne komplet në xhama që është, ka qenë rreth e rreth e hapur. Arsyeja e mbylljes është që ajo pjesa lartë, ajo me digitron s’ka qenë e hapme, për këtë arsye ma kanë mbyll lokalin me 4 tavolina. Punëtorët janë kanë me maska. E kam dëshminë me kamera. S’kam pas myshteri brenda”, ka thënë Potera për Express.

Edhe menaxheri i “Dar Tea Room”, Alban Visoka, thotë se lokali i tij është mbyllur pa arsye. Ai thotë se në ambient të mbyllur s’kanë qenë duke punuar që nga vendosja e masave të reja.

“ Pa arsye vallahi. Në ambient të brendshëm kemi qenë të mbyllur. Jemi kanë tu punu vetëm në hapësirën ku pihet cigaraja, qysh na kanë thonë. Na kanë ardhë pa paralajmërim. Dmth terasën kështu që e pagujmë, nuk po vlejke për ta si terasë. Deri me 13-in dhe na dënun 2000 euro”, ka thënë Visoka.

I pyetur nëse kanë marrë ndonjë ndihmë nga shteti, Visoka thotë se s’kanë përfituar asgjë dhe se mezi po ia dalin.

“As ndihmë as kurgjo hiq. Sen hiq. Deri qetash jemi tu e shty me mish e me shpirt”, ka thënë ai.

Visoka ka konfirmuar se janë ankuar edhe në Gjykatë, meqë arsyeja për të cilën janë mbyllur thotë se është shfrytëzimi i hapësirës të cilën për vite me radhë e shfrytëzojnë si teras dhe paguajnë për të.

“I kemi edhe incizimet që na u mbyll pa arsye. Kemi bërë edhe ankesë në Gjykatë. Qe dy vjet qat pjesë e shfrytëzojmë si teras. Një natë përpara na than bon, nesrit s’bon. Këta nuk po e dijn çka po dojnë as vet”, ka përfunduar ai.

Kjo është lista e lokaleve të gastronomisë që janë mbyllur deri më 13 shtator:

“Dante “ sh.P.K  Rruga “B”

“Mamounia” 3. Babar, Rr. “C”

“Host&Guest”, Dregodan.

“Winners” “Bregu Diellit”

“Bo Bowling” “Albi Mall”

“Hebs” rruga “B”

“Marocco” shpk Emshir

“Snooks” shpk rr. “Simon Shiroka”

“Lulu`s coffe” & Wine LC” “Simon Shiroka”

“Dar moroccan tea room” shpk “Simon Shiroka”

“Che Bar Lounge” shpk Rr.”Femi Agani”

“Monroe”shpk , Rr.”Femi Agani”

K SH.” Labby bar” Rr.”B”

A Rr”Trade” shpk, Rr. “B”

“strip coffe” shpk, Rr. “Rexhep Luci”

“Journal Lonunge Bar”, Rr. “Rexhep Luci”

“Bon Vivant” Rr. “Rexhep Luci”

“Apartment” rruga “B”

“Indica shisha bar” rruga “B”

“Madox” rruga “B”

(Kosova Sot Online)