Nora Weller: Serbia në Mal të Zi po vepron sikur me Kosovën, po e kundërshton ekzistencën e tyre

  • E.K /
  • 06 September 2021 - 10:58
 Nora Weller: Serbia në Mal të Zi po vepron sikur me Kosovën, po e kundërshton ekzistencën e tyre

Në Mal të Zi dje janë zhvilluar protesta kundër ceremonisë së shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije në qytetin e Cetinjes. Në këtë protestë janë plagosur dhjetëra persona. Zëvendësdrejtori i policisë në Mal të Zi, Dragan Goroviq tha për televizionin shtetëror se 20 pjesëtarë të policisë janë plagosur, ndërsa një klinikë shtetërore në Cetinje tha se rreth 30 civilë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Në Mal të Zi ka ndasi të thella sa i takon lidhjeve të vendit të tyre me Serbinë dhe Kishën Ortodokse Serbe. Rreth 30 për qind e popullsisë prej 600,000 banorësh identifikohen si serbë dhe e përkrahin Kishën Ortodokse Serbe. Malazezët tjerë dëshirojnë një kishë ortodokse të ndarë nga ajo serbe. Kundërshtuesit e ceremonisë së zhvilluar në Cetinje e shohin atë si simbol të pushtimit të Malit të Zi nga Serbia.

Ata kërkuan që ajo të mbahet në çdo qytet tjetër malazez, përveç Cetinjes. Ky qytet nga malazezët konsiderohet si qendër kulturore dhe historike. Lidhur me këtë situatë ka reaguar përmes Twitterit edhe Nora Weller, avokate dhe studiuese e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në vendet e luftës dhe në shoqëritë e pasluftës pranë Universitetit të Cambridge-it dhe anëtare e shoqërisë mbretërore të arteve në Mbretërinë e Bashkuar.

Weller shkroi se Serbia përmes Kishës Ortodokse Serbe po kundërshton në thelb ekzistencën dhe demokracinë e Malit të Zi.

“Serbia përmes Kishës Ortodokse Serbe po kundërshton në thelb ekzistencën dhe demokracinë e Malit të Zi. Një veprim i ngjashëm është bërë në mënyrë delikate në Kosovë në emër të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore”, ka shkruar Weller.

Mitropoliti Joanikije u shugurua të dielën në mëngjes në kryeqytetin historik fetar të Malit të Zi, pavarësisht kundërshtimit nga mijëra protestues që për dy ditë rresht i mbajtën të bllokuara rrugët për në Cetinje.

Mitropoliti Joanikije dhe Patriarku serb, Porfirije arritën në Cetinje me helikopter dhe të shoqëruar nga një njësi speciale e policisë, ndërsa forcat e policisë thyen barrikadat dhe protesta u përshkallëzua në zemër të kryeqytetit malazez dhe në rrugë.

Ceremonia u parapri nga incidentet në të cilat, sipas të dhënave zyrtare, shtatë policë u plagosën dhe dhjetëra protestues kërkuan ndihmë mjekësore. Po ashtu, 14 persona u arrestuan, në mesin e të ciëve edhe këshilltari i sigurisë i presidentit të Malit të Zi Milo Gjukanoviq, Veselin Veljoviq.

Kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiq tha se sulmi ndaj policisë ishte sulm ndaj shtetit.

Në një reagim të jashtëzakonshëm pas situatës kaotike në Cetinje dhe shugurimit të mitropolitit të ri të Kishës Ortodokse Serbe, Joanikije II, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq tha se “vetëm një njeri pa dinjitet do ta lejonte veten të futej në manastirin e Cetinjes me helikopter”.

“Sot në Cetinje, ne ishim dëshmitarë të turpit të madh të Kishës Ortodokse Serbe dhe Qeverisë së Malit të Zi, një turp i paparë në historinë e gjatë të shtetit malazez, dhe njëlloj në historinë e ortodoksisë së përgjithshme”, tha presidenti malazez.

Protestat e fundit tregojnë qartë tensionet në Malin e Zi midis banorëve që mbrojnë lidhjet e ngushta me Beogradin dhe malazezët patriotë që e kundërshtojnë këtë.

Mali i Zi u shkëput nga Serbia në vitin 2006, por kisha e saj nuk është bërë autoqefale dhe është nën kujdesin e Kishës Ortodokse Serbe, të cilën kundërshtarët e shohin si simbol të ndikimit të Serbisë në Malin e Zi të pavarur.

(Kosova Sot Online)