SHBA-ja dhe Rusia diskutojnë për programin bërthamor të Iranit

  • G.G /
  • 08 September 2021 - 13:09
SHBA-ja dhe Rusia diskutojnë për programin bërthamor të Iranit

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë bisedime që në fokus do të kenë programin bërthamor të Teheranit.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, tha se është planifikuar një takim me të dërguarin e posaçëm të SHBA -së për Iranin, Robert Malley.

Diplomati rus i thash agjencisë së lajmeve Tass më 8 shtator se Moska dhe Uashingtoni kanë planifikuar konsultime “për një kohë mjaft të gjatë”.

“Tani është e rëndësishme të mos bëhet asnjë gabim, pasi tashmë ka shumë probleme”, tha diplomati.

Reuters ka cituar një zyrtar të lartë amerikan i cili ka thënë në kushte anonimiteti se bisedimet do të zhvillohen me fokus “diplomacinë karshi programit bërthamor të Iranit”.

Departamenti i Shtetit njoftoi më herët se Malley do të udhëtonte në Moskë dhe Paris nga 7-10 shtator për t’u konsultuar me Rusinë dhe partnerët evropianë mbi “nevojën për të arritur një mirëkuptim dhe kthim sa më të shpejt të zbatimit të marrëveshjes bërthamore të Iranit me fuqitë botërore të vitit 2015”.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ka konfirmuar raportet se Irani kishte rritur ndjeshëm kapacitetin e tij prodhues për 60 për qind uranium të pasuruar.

Për prodhimin e bombës bërthamore uraniumi duhet të jetë i pasuruar në shkallën 90 për qind.

Marrëveshja bërthamore, e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), ia kufizon Teheranit pasurimin e uraniumit në shkallën 3.67 për qind.

Irani pretendon se ambiciet e tij bërthamore janë vetëm për qëllime civile.

Sipas marrëveshjes midis Iranit dhe Britanisë, Francës, Gjermanisë, Kinës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, Teherani ra dakord të pezullojë shumë nga aktivitetet e tij bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Në vitin 2018, presidenti i atëhershëm Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja dhe bëri thirrje për një marrëveshje më të gjerë që do të përfshinte edhe kufizimin e aktiviteteve rajonale të Iranit dhe programin e raketave.

Presidenti Joe Biden, i cili mposhti Trumpin vitin e kaluar, ka thënë se ai dëshiron që Uashingtoni të ribashkohet me marrëveshjen bërthamore.

Më 27 gusht, Biden i tha kryeministrit izraelit, Naftali Bennett se në raport me Iranin ai e ka vënë “diplomacinë në rend të parë” në përpjekjen për të frenuar programin bërthamor të Iranit, por nëse negociatat dështojnë, ai do të ishte i përgatitur t’i drejtohej opsioneve të tjera.

Që nga muaji prill gjashtë raunde bisedimesh për ringjalljen e marrëveshjes së vitit 2015 janë mbajtur në Vjenë, por ato u ndërprenë pas zgjedhjeve iraniane në qershor.

(Kosova Sot Online)