Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë flet për “Ballkanin e Hapur”, tregon se çfarë pret nga Kosova dhe Shqipëria

  • G.G /
  • 09 September 2021 - 10:35
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë flet për “Ballkanin e Hapur”, tregon se çfarë pret nga Kosova dhe Shqipëria

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi gjatë një interviste në emisionin “Balkan Talks” u shpreh se shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk e përjetojnë mirë “mosmarrëveshjen” që ekziston mes kryeministrit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës.

Kryetari i Partisë Për Veprim Demokratik tha se ata “presim një bashkëpunim më të ngushtë mes Shqipërisë dhe Kosovës” si në marrëdhëniet bilaterale dhe iniciativat rajonale.

Duke folur për “Open Balkan”, Kamberi theksoi se “pret ndryshim të qasjes së Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës” dhe shtoi se shqiptarët janë “pakica e vetme që u mohohet përdorimi i identitetit, flamuri kombëtar”.

“Nuk ka asnjë sinjal pozitiv të ndryshimit të qasjes së Serbisë në raport me shqiptarët e Luginës së Preshevës”, tha ai.

E gjithë kjo sjellje e Serbisë tha ai vjen në një kohë kur Beogradi kërkon të krijojë një “pakicë të privilegjuar” serbe në Kosovë. Kjo sipas tij do të sjellë pasoja në Ballkanin Perëndimor duke sjellë konflikte.

Ai nënvizoi se Serbia nuk mund të ketë marrëdhënie të mira me shqiptarët duke lidhur marrëveshje me njërën pjesë, duke iu referuar Shqipërisë dhe nga ana tjetër duke tentuar që të zhbëjë pjesën tjetër, Kosovën.

“Nuk mund të ketë raporte të mira me Shqipërinë pa e njohur Kosovën. Pengesa kryesore e stabilitetit në Ballkan është mos njohja e Kosovës nga ana e Serbisë”, tha Kamberi.

Deputeti shqiptar u shpreh se nuk ka pasur mundësi të ketë takime me drejtues të lartë të Shqipërisë për të shprehur këto shqetësime duke thënë se takimi i fundit ka qenë kur ministër i Jashtëm i Shqipërisë ishte Gent Cakaj.

Nga ana tjetër tha se ka pasur dy takime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ku ka marrë premtimin “për të përfshirë Luginën e Preshevës në buxhetin e Kosovës vitin e ardhshëm”.

(Kosova Sot Online)