Shqipëria nën masa të rrepta sigurie pret kancelaren Merkel

  • G.G /
  • 14 September 2021 - 08:50
Shqipëria nën masa të rrepta sigurie pret kancelaren Merkel

Ardhja e kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, në Shqipëri ka bërë që Policia e Shtetit të hartojë një plan të rreptë masash për të garantuar mbarëvajtjen e vizitës.

Policia thotë se të martën do ketë bllokime dhe devijime të lëvizjes së automjeteve, konkretisht në segementet; Rinas-Unaza e Re, Sauk, Rruga e Elbasanit deri tek Pallati i Brigadave.

Strukturat ligjzbatuese u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve që të shmangin lëvizjen në segmentet e mësipërme, me qëllim që të evitojnë mbingarkesën në trafik nga ora 09:00-13:00 të datës 14 shtator.

Qytetarëve u kërkohet të përdorin rrugë alternative për të shkuar në destinacionet përkatëse.

Agjenda e kancelares Merkel në Tiranë

Zyra e shtypit e kryeministrisë ka zbardhur axhendën e vizitës së Merkel, që nis në orën 10:20, me ceremoninë e mikpritjes në Pallatin e Brigadave.

Në 10:30 do të mbahet një takim kokë më kokë mes kryeministrit Edi Rama dhe kancelares Angela Merkel në Pallatin e Brigadave, që do të vijojë edhe me takimin mes 2 delegacioneve.

Në 11: 55 kancelarja dhe krerët e qeverive të Ballkanit shkojnë në Tirana Business Park. Po në këtë ambient rreth orës 14.35 do të mbahet konferenca për shtyp mes kryeministrit Rama dhe kancelares Merkel.

(Kosova Sot Online)