ShBA-ja, Britania e Australia nënshkruajnë pakt për t’i bërë ballë Kinës

  • G.G /
  • 16 September 2021 - 08:44
ShBA-ja, Britania e Australia nënshkruajnë pakt për t’i bërë ballë Kinës

Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia kanë nënshkruar një marrëveshje historike për rajonet e Oqeanit Paqësor e Oqeanit Indian. Pakti po shihet si përpjekje për t’i bërë ballë fuqisë në rritje të Kinës.

Sipas marrëveshjes, Australisë për herë të parë do t’i mundësohet prodhimi i nëndetëseve që funksionojnë me energji bërthamore, duke e përdorur teknologjinë e ofruar nga Shtetet e Bashkuara, shkruan BBC.

Pakti, që do të njihet si “Aukus”, do ta mbulojë edhe fushën e inteligjencës artificiale dhe kibernetikën. Ky është bashkëpunimi më i madh në fushën e mbrojtjes mes shteteve nënshkruese në dekadat e fundit, thonë analistët.

Vjetëve të fundit, demokracitë perëndimore kanë shprehur shqetësime rreth sjelljeve ushtarake të Kinës në rajonin e Indo-Paqësorit.

Në deklaratën e përbashkët të udhëheqësve Joe Biden të ShBA-së, Boris Johnson të Britanisë së Madhe dhe Scott Morrison të Australisë u tha se marrëveshja ka për qëllim që t’i promovojë sigurinë dhe mirëqenien në rajon.

Ambasada e Kinës në Uashington reagoi duke i akuzuar tri shtetet nënshkruese për “mendësi të Luftës së Ftohtë dhe paragjykim ideologjik”.

(Kosova Sot Online)