Votohet qeveria “Rama 3”

  • G.G /
  • 17 shtator 2021 - 08:36
Votohet qeveria “Rama 3”

Me 77 vota pro, 53 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi miratoi qeverinë “Rama 3”. Pas një seance maratonë që zgjati deri në orën  6:40 të mëngjesit, u votëbesua qeveria Rama për herë të tretë në drejtimin e vendit.

Seanca plenare nisi ditën e djeshme në orën 10:00 të mëngjesit dhe përfundoi në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Pas miratimit në Kuvend pritet edhe betimi në Presidencë i kabinetit të ri qeveritar.

Seanca u shoqërua me debate mes mazhorancës dhe opozitës. Kreu i PD Lulzim Basha dhe deputetët e PD kanë refuzuar të flasin pa praninë e kryeministrit Edi Rama në Kuvend, duke krijuar dhe tensione, derisa kreu i qeverisë erdhi pas rreth 2 orësh.

Kryetari i Partisë Demokratike nuk pranoi të mbajë fjalën në Kuvend, pasi i pranishëm nuk ishte kryeministri Rama. Për rreth dy orë me radhë, punimet në seancën e së enjtes u ndërprerë, ndërsa kryeministri arriti në sallë në orën 18:00.

Rama u shpreh se ka ardhur në sallë vetëm pas kërkesës së opozitës, por sipas tij, nuk ka asnjë detyrim të jetë i pranishëm. Ai tha se ishte larguar nga Kuvendi për shkak të ngarkesës së punës, ndërsa theksoi se do të largohet për shumë ditë drejt Amerikës.

(Kosova Sot Online)