“Show si i Thaçit”, çka ndodhi dhe si u panë zhvillimet në pikat kufitare me Serbinë

  • E.K /
  • 20 September 2021 - 16:46
 “Show si i Thaçit”, çka ndodhi dhe si u panë zhvillimet në pikat kufitare me Serbinë

Marrëveshja e Brukselit, e arritur gjatë qeverisjes së LDK-së dhe PDK-së, e cila urdhëron qarkullimin e automjeteve vetëm me targa RKS, nisi zbatimin papritmas mëngjesin e së hënës. Oponentët e Kurtit e panë këtë që ndodhi si “show” dhe si mjet fushate. Arben Gashi i LDK-së tha se “show”-i i Kurtit nuk dallon prej atyre të ish-kryeministrit Thaçi. BE-ja kërkoi që të ndalen tensionet, ndërsa kryeministri Kurti u kërkoi serbëve të Kosovës që ta ruajnë rehatinë e tyre.

Dhjetëra autoblinda të Policisë së Kosovës u panë duke monitoruar pikën kufitare në Jarinjë. Ndërsa Kryeministri Kurti nga Kuvendi tha se veprimet e sotme nuk janë kundër qytetarëve serbë, duke i ftuar ata që të lëvizin lirshëm, pa brenga dhe shqetësime.

Vendimi për targat e automjeteve që hyjnë nga Serbia në Kosovë që mban firmën e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, obligon vendosjen e targave në vende të dukshme dhe për pajisjen me to duhet paguar taksa prej 5 eurove. Vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Policia e Kosovës nuk e lejoi asnjë automjet me targa të Serbisë që të hyjë në vend, pasi Serbia ka disa vite që i detyron qytetarët e Kosovës të vendosin targa të përkohshme për të hyrë atje.

Serbët nuk u pajtuan me zbatimin e reciprocitetit, prandaj bllokuan rrugën për të protestuar. Protestuesve iu bashkua edhe ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq.

Njëri nga pjesëtaret e policisë iu është drejtuar në gjuhën shqipe protestuesve serb duke iu thënë se “Protestën nuk ua ndalon askush, mirëpo rruga duhet të lirohet”.

Rakiq, ministër në Qeverinë Kurti, i rrethuar nga protestuesit serbë tha se është reaksion dhe jo aksion, vendimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës për të mos e lejuar asnjë veturë që niset nga Serbia drejt Kosovës të kalojë në pikat kufitare pa u pajisur me targat e përkohshme të Republikës së Kosovës.

“Bisedimet nuk janë tavolinë suedeze të marrësh ate çka të pelqen. Ky nuk është aksion. Ky është reaksion. Populli është i frikësuar”, tha Rakiq.

Për zbatimin e reciprocitetit, kryeministri Albin Kurti u deklarua në Kuvendin e Kosovës. Kurti tha se 15 shtatori i vitit 2021 ishte afati i fundit kur përfundimisht do të duhej të mbyllej marrëveshja e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë dhe të ndalohej qarkullimi i veturave me çfarëdo nga tabelat, përveç atyre RKS. 

Kryeministri Kurti tha se pesë ditë pas skadimit të afatit të paraparë sipas marrëveshjes për lëvizjen e lirë, Ministria e Punëve të Brendshme sot ndërmorri veprimet e nevojshme për konfisikimin e të gjitha tabelave ilegale brenda Republikës së Kosovës.

“15 shtatori i vitit 2021 ishte afati i fundit kur përfundimisht do të duhej të mbyllej marrëveshja e arritur në Bruksel dhe të ndalohej qarkullimi i veturave me çfarëdo nga tabelat përveç atyre RKS. Republika e Kosovës nga data 15 shtator 2021, ka ndërprerë dhënien e tabelave KS, sepse nga kjo datë këto tabela nuk janë më valide. Pesë ditë pas skadimit të afatit të paraparë sipas marrëveshjes për lëvizjen e lirë, Ministria e Punëve të Brendshme sot ndërmori veprimet e nevojshme për konfisikimin e të gjitha tabelave ilegale brenda Republikës së Kosovës, sikurse edhe në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Pavarësisht se çfarë nacionaliteti kanë poseduesit e makinave me tabela jo valide, ato po konfiskohen. Në të gjitha pikat e kalimit kufitar, automjetet që mbajnë tabela të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës do të pajisen me tabela të përkohshme. Një marrëveshje teknike mes Kosovës dhe Serbisë u pat arritur ne vitin 2011 që u finalizua në Bruksel më 2016. Nga ajo kohë, Kosova ka zbatuar të gjitha detyrimet, përfshirë edhe procesin për lehtësimin e regjistrimit të automjeteve. Është kompletuar edhe infrastruktura administrative për lëshimin e dokumenteve të nevojshme për regjistrimin e automjeteve”, tha Kurti në Kuvendin e Kosovës, transmeton Gazeta Express.

Ai ftoi qytetarët serbë që të vazhdojnë ritmin e jetes së tyre, duke shtuar se reciprociteti në fjalë nuk ka për qëllim që të provokojë destabilizim.

“Veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente për zabtimin e kësaj marrëveshjeje për lëvizje të lirë nuk janë të drejtuara kundër qytetarëve serbë. Ato në asnjë mënyrë nuk kanë qëllim t’i cënojnë lëvizjen qytetarëve serbë apo të provokojnë çfarëdo destabilizimi. Sikurse dje, sot, por edhe nesër qytetarët serbë do të lëvizin lirshëm të sigurt dhe të mbrojtur nga ligji. Pres nga të gjithë qytetarët që sot nuk po ndodh asgjë e jashtëligjshmë, sot po fillon zbatimi i një marrëveshje për të cilën është pajtuar edhe Serbia me ndihmën e BE-së. Liria e lëvizjes është e drejtë njerëzore e civile por edhe vlerë Europiane. I lus qytetarët serbë të vazhdojnë ritmin pa shteqësime dhe brenga…Barazia për neve është vlerë që e zbatojmë në praktikë”, u shpreh Kurti tutje.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi i kërkoi Kryeministrit në Kuvend që të merret me probleme reale, si vdekjet nga virusi, e të mos bëjë “show”. Sipas tij, ajo që ndodhi në pikatg kufitare me Serbinë ishin shfaqje të Kurtit, që i bënte dikur Thaçi.

Opinionistja Kimete Berisha e ka quajtur “show të bukur” dërgimin e Njësisve speciale të Policisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë për ta monitoruar zbatimin e vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për targat.

Berisha ka theksuar se ky veprim është bërë për fushatë elektorale.

Gjatë ditës së sotme, zëdhënësi i BE-së për Politikë dhe Siguri të Jashtme, Peter Stano, në një konferencë për media tha se tensionet duhet t’i ndalin të dyja palët dhe tha se dialogu duhet shfrytëzuar për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tilla.

“Jemi duke vëzhguar situatën nga afër dhe dua të theksoj liria e lëvizjës është një kusht themelor i BE-së dhe këtë e presim edhe nga Kosova dhe Serbia që ta promovojnë atë. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të përmbahen dhe të reduktojnë tensionet. Menjëherë dhe pa ndonjë vonesë”, ka deklaruar Stano.

Stano ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përdorin dialogun si platformën e vetme për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura që mund t’i kenë këto dy vende, përfshirë edhe lirinë e lëvizjes.

(Kosova Sot Online)