Kreu vetëvrasje me kërcim nga kati i 12-të, mbyt edhe kalimtarin duke rënë mbi të

  • G.G /
  • 21 September 2021 - 15:56
Kreu vetëvrasje me kërcim nga kati i 12-të, mbyt edhe kalimtarin duke rënë mbi të

Një burrë që kreu vetëvrasje duke u hedhur nga kati i dymbëdhjetë i një ndërtese në Nju Jork ka mbytur një person tjetër gjatë këtij veprimi, pasi ra mbi të, tha policia.

Një burrë 25-vjeçar kërceu nga një ndërtesë në Yonkers të Nju Jorkut të hënën, duke rënë mbi një burrë 61-vjeçar në një çati betoni të garazheve për parking, thuhet në të dhënat preliminare të policisë lokale.

Autoritetet njoftuan se të dy burrat vdiqën në vendin e ngjarjes. Policia i ka nisur hetimet për rastin dhe po i merr në pyetje dëshmitarët dhe familjarët e dy të vdekurve. Autoritetet po i analizojnë edhe pamjet e kamerave të sigurisë.

“Incidenti duket se ka qenë situatë tragjike dhe hetimet janë duke vazhduar. Policia ua shpreh ngushëllimet e sinqerta familjeve të të dy burrave”, thuhet në deklaratën e policisë.

Një incident i ngjashëm pati ndodhur në Shtetet e Bashkuara edhe në prill të këtij viti në San Diego, kur u raportua se një burrë që kishte kërcyer nga garazhet kishte rënë mbi një grua dhe të dy kishin mbetur të vdekur.

(Kosova Sot Online)