Dita e tretë e reciprocitetit, media serbe: ROSU vazhdon të kontrollojë kalimet në Jarinje e Bërnjak, serbët në protestë
Situata e krijuar me vendosjen reciprocitetit lidhur me tabelat e regjistrimit të automjeteve dhe ndërhyrjen e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës ka vazhduar edhe në ditën e tretë, ndërsa serbët po ashtu kanë vazhduar bllokimin e rrugëve, ndërsa qytetarët po qarkullojnë këmbë pa automjete.
Si njofton “B92”, kjo është dita e tretë që Njësia Speciale e Policisë së Kosovës vazhdon të vendos tabela me shenja të Kosovës, për secilin automjet që mban tabela të regjistrimit të Serbisë, kjo vazhdon jo vetëm në kalimet Jarinje e Bërnjak, por edhe në kalimet tjera dhe në brendi të Kosovës.
Autoritetet e Prishtinës kanë vendosur masën e reciprocitetit për targat, përkatësisht largimin e tabelave serbe dhe vendosjen e atyre provuese të Kosovës, kundrejt një pagese, sikurse që Serbia ka vendosur për automjetet me tabela të Kosovës kur hyjnë në Serbi.
Kjo ka nxitur pakënaqësi dhe tensione te banorët serb të kësaj ane, duke u mbledhur dhe duke bllokuar rrugët.
Si dihet në ato pjesë njësitet e specializuara ROSU janë të pajisur me automjete të blinduara, me armë me tyta të gjata, bomba shoku tymi, por situata përkundër tensioneve mbetet e qetë.
Dje si njofton media lidhur me situatën e krijuar është mbajtur Këshilli kombëtar i sigurisë, ku është kërkuar tërheqja e këtyre trupave nga veriu, ndërsa Vuçiq këto ditë i ka vlerësuar si ditët më të vështira për popullin serb të Kosovës.
“Vuçiq tha se kishte marr një propozim nga vendet e Kuintit për zgjidhjen e situatës aktuale, por e ka refuzuar atë propozim, gjë që është mbështetur nga Këshilli i sigurisë kombëtare”, shkruan gazeta.
Ndërkohë ka pasur edhe deklarata të ndryshme si nga ministri i brendshëm Vulin se xhandarmëria është e gatshme për ndërhyrje, nga Daçiq se nuk do lejohet përndjekje ndaj serbëve, por edhe nga Stefanoviç ish-kryengociatori dhe Trajkoviç që akuzojnë pushtetin në Serbi se po gënjen popullin serb, se kjo masë është pjesë e marrëveshjes së Brukselit.
(Kosova Sot Online)