Kurti: Buldozerët e vendosur nga serbët janë për të sulmuar policët kufitar, Njësia Speciale po i mbron ata

  • E.K /
  • 27 September 2021 - 11:28
 Kurti: Buldozerët e vendosur nga serbët janë për të sulmuar policët kufitar, Njësia Speciale po i mbron ata

Kryeministri Albin Kurti ka pritur me ceremoni shtetërore, kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Me këtë rast, Kurti dhe Rama pas takimit janë deklaruar për media.

Kryeministri Albin Kurti ka folur për situatën në veri.

Kurti ka thënë se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës po qëndron në Bërnjak dhe Jarinjë në mënyrë që të mbrojnë pikat kufitare dhe policët kufitarë.

Ai ka deklaruar se bulldezërt e vendosur në rrugë nga ana e serbëve janë për të sulmuar policët kufitarë në rast se ata janë të vetmuar.

“Njësia Speciale e Republikës së Kosovës nuk është në Bërnjak dhe Jarinjë në mënyrë që ne të kënaqemi t’i gëzohemi kësaj situate. Ata aty janë me detyrë dhe detyra e tyre është që të mbrojnë pikat kufitare dhe policët kufitarë. Ne kemi mjaftueshëm indikacione se po të mos ishte Njësia Speciale e policisë së Kosovës në Bërnjak dhe në Jarinjë, policët tanë kufitarë dhe godinat aty do të ishin të rrezikuara seriozisht. Bllokimi i rrugëve magjistrale që shpiejnë në Jarinjë dhe në Bërnjak nuk është bërë vetëm me barrikada prej mauneve dhe njerëzve por edhe me bulldezër. E ata bulldezër sigurisht që nuk janë për të bllokuar rrugë sa janë për të sulmuar në rast se policët kufitar do të ishin të vetmuar”, ka deklaruar ai.

Kurti ka treguar se sot bashkë me ministrin e Brendshëm kanë takuar edhe komandantin e përgjithshëm të KFOR’it dhe se janë në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet ndërkombëtare në Kosovë dhe përfaqësuesit e tyre diplomatik.

Ai ka thënë se i kanë bërë ofertë Serbisë që të largojnë targat e përkohshme të dy palët.

“Ne kemi bërë një ofertë me të cilën kemi thënë se nuk ja vlenë të kemi targa të përkohshme edhe Republika e Kosovës edhe Republika e Serbisë, po i heqim ato të dy palët dhe besoni pakrahësimisht më shumë kanë arsye shqiptarët që të ju pengoj targa e Serbisë që i ka 4 S në cirilikë e të cilën keni mundur ta gjeni në shumë shtëpi të rrënuara gjatë luftës e madje edhe të bërë me thikë në gjokset e shqiptarëve, se sa që do të duhej të ja vriste sytë harta e Kosovës serbëve në Serbi. Mirëpo ne kemi thënë po i heqim targat e përkohshme, ata le të vinë lirisht, ne po shkojmë lirishtë dhe qarkullimi i lirë, lëvizja së mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit të jetë sa më e kollajshme dhe pa asnjë vonesë”, ka theksuar ai.

Tutje Kurti ka thënë se mbi 10 mijë automjete që kanë ardhur nga Serbia kanë marrë tashmë targat e përkohshme në Kosovë.

(Kosova Sot Online)