Shkon Arbeni, vjen Dafina
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, sot do të zyrtarizojë dorëheqjen e tij nga pozita në ministri.
Vitia garon në zgjedhjet lokale për të parin e Komunës së Prishtinës, më 17 tetor, me kandidimin nga partia e Vetëvendosjes për të garuar.
Ushtruese e detyrës së ministres së Shëndetësisë do të jetë Dafina Gexha-Bunjaku.
Deri më sot, Vitia nuk ka treguar se kur do të japë dorëheqje si ministër, edhe pse kanë mbetur më pak se tri javë nga zgjedhjet. Ai pati thënë ditë më parë se do të bëhet pjesë e fushatës zgjedhore atëherë kur nuk do të jetë më ministër i Shëndetësisë.
Kush është Dafina Gexha Bunjaku
Dafina Gexha Bunjaku aktualisht është zëvendësministre e Shëndetësisë. Ka lindur në Gjakovë. E diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, ka vazhduar studimet post-diplomike në fushën e menaxhmentit shëndetësor – program i përbashkët i Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Vjenës, Austri.
Është specialiste e epidemiologjisë, dhe ka punuar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Departmentin e Epidemiologjisë. Gjithashtu ka qenë pjesë e ekipit të IKShPK për fazën përgatitore dhe menaxhuese për COVID-19.
Gexha-Bunjaku është koordinatore për Kosovën në ECDC (Qendra Evropiane për Parandalim dhe Kontroll të Sëmundjeve Ngjitëse), për raportim dhe bashkëpunim në disa fusha. Ka punuar në Programin e Mjekësisë Familjare të zhvilluar dhe përkrahur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Kolegji Mbretëror i Mjekëve të Përgjithshëm, Mbretëria e Bashkuar. (Informacionet mbi veprimtarinë e zëvendësministres janë të publikuara në faqen zyrtare të MSH-së)
(Kosova Sot Online)