Sveçla thotë se Qeveria Kurti ka bërë BE’në e Beogradin të kuptojë që Kosova nuk nënshtrohet më

  • A.P /
  • 02 October 2021 - 18:53
Sveçla thotë se Qeveria Kurti ka bërë BE’në e Beogradin të kuptojë që Kosova nuk nënshtrohet më

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas largimit të trupave të Njësitit Special të Policisë së Kosovës dhe zëvendësimit të tyre me trupat e KFOR’it, ka thënë se BE’ja dhe Serbia kanë filluar ta kuptojnë një mesazh të Qeverisë Kurti.

Sveçla, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se edhe Brukseli edhe BE’ja kanë arritur ta kuptojnë mesazhin se, siç e vlerëson ai, Kosova nuk nënshtrohet më.

“Epoka kur Republika e Kosovës nënshtrohet ka përfunduar, dhe këtë mesazh tashmë e ka kuptuar Boegradi dhe Brukseli. Kosova ka Qeveri të re sovrane të cilën askush nuk mund ta shantazhojë për shkak të hiseve në krim e korrupsion”, ka shkruar ai.

Ai tutje ka thënë edhe se do të luftohet me të madhe krimi dhe korrupsioni, derisa përshëndeti profesionalizmin e policisë.

Postimi i plotë:

Reciprociteti me Serbinë u vendos me 20 shtator për të vazhduar me 4 tetor!

Reciprociteti me Serbinë u vendos me 20 shtator, dhe u zbatua në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Policia e Kosovës, dëshmoi se është polici profesionale dhe e gatshme të mbrojë sovranitetin e shtetit dhe ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë, pa dallim.

Përderisa Republika e Kosovës tregoi se ka institucione demokratike dhe profesionale, dhe se është e përkushtuar për rend dhe ligj, Serbia përgjatë 13 ditëve përdori të gjitha mjetet, përfshirë dhe veprimtarinë e vet kriminale përmes bllokimit të rrugëve, kërcënimeve për serbët lokal, shantazhit e sulmeve terroriste në institucionet publike.

Por, as kjo ndërmarrje kriminale e sponzorizuar nga qeveria e Serbisë nuk arriti të zbrapsë Kosovën dhe njësitë tona speciale nga zbatimi i vendimit legjitim.

Megjithatë, Kosova bëri dhe një hap para. Mbi parimin e reciprocitetit vendosi që të bashkëpunojë me aleatët tanë dhe pas tërheqjes së barrikadave, të largojë Njësitë Speciale por në bashkëpunim me KFOR-in të sigurojë Policinë Kufitare dhe mbrojë dhe më tutje kufirin me Serbinë.

Epoka kur Republika e Kosovës nënshtrohet ka përfunduar, dhe këtë mesazh tashmë e ka kuptuar Boegradi dhe Brukseli. Kosova ka Qeveri të re sovrane të cilën askush nuk mund ta shantazhojë për shkak të hiseve në krim e korrupsion.

Sovraniteti dhe ligjshmëria do të shtrihet në tërë territorin e Republikës së Kosovës, me çdo kusht. Krimi dhe korrupsioni do të luftohen në çdo cep. Policia e Kosovës e dëshmoi për 13 ditë se përveç që është profesionale është edhe gatshme të kryej misionin e saj me sukses.

Faleminderit pafundësisht. 

(Kosova Sot Online)